Ndërlidhjet

Çdo vit, 10 për qind më shumë dhurues gjaku


Ilustrim
Ilustrim
Në ditën botërore të dhurimit të gjakut, shumë vullnetarë kanë dhuruar gjak.

Por profesionistë shëndetësor thonë se kjo ditë është vetëm një promovim i dhurimit vullnetar të gjakut, derisa shtojnë se gjak duhet dhuruar vullnetarisht çdo ditë.

Me shumë doza që kërkohen gjatë ditës, gjaku është bërë një nga nevojat kryesore të pacientëve kosovarë.

Hysen Sadriu, drejtor i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çdo vit shënon rritje të dhuruesve të gjakut për rreth 10 për qind.

"Dhurim i gjakut duhet të bëhet çdo ditë në mënyrë kontinuale, në mënyrë që të kemi gjak të mjaftueshëm për pacientë. Furnizimi qëndron shumë mirë, jemi në gjendje t'u ndihmojmë pacientëve që kanë nevojë për gjak dhe produkte të gjakut. Rritje ka çdo vit nga 10 për qind sepse njerëzit janë të informuar shumë mirë për rëndësinë e gjakut. Femrat preferohen të dhurojnë gjak 3 herë në vit, derisa 4 herë në vit meshkujt", bëri të ditur Sadriu.

Tomë Hajdari, është një dhurues i rregullt të gjakut. Ai foli për rëndësinë e dhurimit vullnetar.

"Ndoshta unë mund të jem njëri nga pacientët potencial për të marrur gjak nesër. Çdo pikë gjaku shpëton jetën, andaj i kisha ftuar gjithë qytetarët t'i përgjigjen këtij aksioni në mënyrë që qendra e transfuzionit të mos ketë mungesë të gjakut", tha Hajdari.

Edhe Ismet Dini, dhurues vullnetar, tha se është hera e 12 që dhuron vullnetarisht gjak.

"Që 12 herë jap gjak. Mendoj se është shumë gjest human, sepse shpëton jetë. Pasi e kam shëndetin, pse mos të jap gjak”, është shprehur zoti Dini.

Ndërkaq Mazllum Belegu, i cili për 28 vjet ka qenë drejtor i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, në Prishtinë, rrëfen për atë se sa është vetëdijesuar popullata për dhurimin vullnetar tash, krahasuar me vitet paraprake.

"Unë që nga viti 1972 kam punuar në transfuzion dhe deri në vitin 2010 kam punuar aty, kur edhe kam dalë në pension. Por nuk mundemi me qenë shumë të kënaqur. Është shumë më mirë se që ka qenë , dhe çdo vit po bëhet më mirë. Unë mendoj se duhet me qenë të kënaqur atëherë kur në Kosovë nuk do t'i ftojmë familjarët të dhurojnë gjak kur dikush ka nevojë, por do ta sigurojmë atë përmes vullnetarëve", tha Belegu.

Zoti Belegu shtoi se në të kaluarën, ka qenë shumë e vështirë të sigurohet gjak nga vullnetarët, qoftë edhe nga prindi nga i cili është varur jeta e fëmijës të tij.

Sidoqoftë sipas zotit Sadriu tash dhuruesit e gjakut janë të moshave të ndryshme, dhe grupeve të ndryshme të gjakut.

Ai shton se dominojnë si dhurues vullnetarë nxënësit e shkollave të mesme.
XS
SM
MD
LG