Ndërlidhjet

Dyshime për varrezë masive në Bor


Pamje nga Bori në Serbi
Pamje nga Bori në Serbi
Ende nuk është zbardhur fati i 1,750 personave, të cilët ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Dyshimet se në një shkritore në Bor të Serbisë janë dërguar trupa të të vrarëve nga Kosova, sipas përfaqësuesve të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur nuk ka ende asgjë konkrete.

Shkritoren e Borit e ka përmendur një qytetar nga Serbia për shtypin vendor.

Në dëshminë e tij, ishte theksuar se disa kamionë,frigoriferë me trupa kanë përfunduar në një varrezë masive në Petrovosellë në Serbi, derisa një kamion tjetër ka përfunduar në shkritoren e Borit, afër Petrovosellës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjeturi, Penkë Gjetaj tha se deri më tani nuk kanë ndonjë informacion rreth këtij lokacioni, derisa ai ka treguar se janë në kontakt me dëshmitarin.

Me dëshmitarin – ai thotë se është në gjendje që të shkojë edhe në vendin e ngjarjes dhe presim gatishmërinë e tij për të na ndihmuar, sepse, ne do të kërkojmë që të bëjmë vizitë në vendin e ngjarjes, gjegjësisht në vendin e dyshuar. Ne nuk e dimë atë vend. Ne që tani mund të shprehim gatishmërinë të shkojmë në atë vend, mirëpo pa e pasur dëshmitarin, pa e ditur lokacionin e përkufizuar, sigurisht ne nuk mund të bëjmë hapa pa u verifikuar”, ka theksuar Gjetaj.

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka nisur procedimin e dëshmisë të qytetarit nga Bori i Serbisë, i cili kishte rrëfyer për bartjen e trupave të të vrarëve në luftën e Kosovës.

Ndërkohë, përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur vazhdojnë të kritikojnë institucionet vendore dhe ndërkombëtare për angazhim jo të mjaftueshëm lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Bajram Çerkini, përfaqësues i Asociacionit të Familjarëve të Personave të Pagjetur nuk beson në rrëfimin e qytetarit serb dhe sipas tij, deklaratat e tij janë gënjeshtra që bëhen për përfitime materiale.

“Unë po ju them familjarëve,po na gënjejnë për interesa të veta. Ai po kërkon para dhe strehim, po dëshiron të vijë në Kosovë dhe të jetojë këtu”, ka shtuar ai.

Çerkini tha se ka propozuar në komision që t’i drejtohen Këshillit Evropian, në mënyrë që kjo çështje të diskutohet edhe në strukturat ndërkombëtare.

Ai shtoi se çdo ditë të gjithë familjarët e të zhdukurve duhet të qëndrojnë para dyerve të Qeverisë të bëjnë presion, në mënyrë që ata të bëjnë presion para bashkësisë ndërkombëtare.

Janë rreth 12 mijë persona që vlerësohet të jenë vrarë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, por ka mungesë të dhënash të përpikta për numrin e saktë të viktimave.
XS
SM
MD
LG