Ndërlidhjet

Nis evidentimi i bëmave të luftës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Edhe 14 vjet pas luftës, nuk është vonë që të evidentohen dëmet e të bëmat, që u shkaktuan nga lufta, bashkë me përjetimet që pësuan viktimat e saj, pavarësisht se a janë shqiptarë, serbë apo të ndonjë etnie tjetër.

Qeveria e Kosovës, vlerëson se vetëm pas një kohe aq të gjatë, mund të thuhet se janë pjekur kushtet që popujt të ballafaqohen me të kaluarën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, shpjegoi se autoritetet kosovare po nisin një proces të evidentimit të të gjitha viktimave të luftës dhe pasluftës në Kosovë, që në çfarëdo forme, kanë qenë objekt i dhunës.

Kuçi, bashkë me shoqërinë civile, organizata vendore e ndërkombëtare, dhe donatorë të jashtëm, të hënën mbajti takimin e parë të Grupit Punues për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, ku i dha edhe arsyet, pse kjo punë po bëhet 14 vjet prej përfundimit të luftës.

Formimi i këtij grupi punues është shtyrë deri në këtë kohë, kur kemi konsideruar se shoqëria jonë është e aftë për t’u ballafaquar me të kaluarën, ku në një mënyrë ose tjetër, që t’i marrë përsipër rehabilitimin e marrëdhënieve dhe të jetë e gatshme të ballafaqohet me atë, të kërkoj të vërtetën, të bëjë riparimin e dëmeve të luftës, dhe ashtu sikur kërkon, edhe përshkon përgjegjësi dhe autorësi penale”, tha Kuçi.

Ky grup punues ka për qëllim mbledhjen e të gjitha informatave, dhe dëshmive të viktimave të dhunës dhe luftës në Kosovë, në periudha të ndryshme kohore.

Pas kësaj përmbledhjeje gjithëpërfshirëse, grupi do të dalë me një strategji kombëtare, e cila do të jetë pjesë përbërëse e politikave qeverisëse në vend.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se raporti ende i pazgjidhur me Serbinë, e rëndon edhe më shumë procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Por përkundër kësaj, tha se ka mjete për t’i rregulluar ato.

Nënshkrimi i një Traktati të Paqes ku do të rregulloheshin raportet Kosovë-Serbi, ku do të rregulloheshin raportet tona ndërshtetërore, që do të përfshinin edhe kërkimin e faljes nga Serbia, edhe kërkimin e kompensimit të dëmeve të luftës, edhe kërkimin çështjen e personave të pagjetur, dhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me luftën, do ta ndihmonin në pafundësi edhe krijimin e një ambienti të mirë, për t’u ballafaquar me të kaluarën. Formimi i këtij grupi punues ka mu këtë qëllim,” tha Kuçi.

Qeveria e Kosovës, i ka të mbrojtura me ligj kategori të ndryshme të dala nga lufta, që kryesisht ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshi veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve.

Ndërsa me strategjinë e re, që do të krijohet nga ky grup, do të analizohen politikat aktuale, për të mos lënë asnjë viktimë pa u riparuar në kuptimin e kompensimit të dëmeve të luftës, apo të mohimit të së drejtës për dëmshpërblim.

Sipas udhëheqëses së Grupit Punues për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, Dhurata Hoxha, me këtë mekanizëm të ri, do të përcaktohet edhe metoda e gjetjes të së vërtetës.

Kurse, siç tha ajo, model mund të merret edhe ai i pajtimit në Afrikën e Jugut, pas zhbërjes së aparteidit.

Por për këtë gjë do të vendoset më vonë.

Si Grup Punues, ne nuk mund të vendosim tani, pa u konsultuar me kategoritë e viktimave, se a dëshirojmë të kemi një Komision të së Vërtetës, siç është bërë psh në Afrikën Jugore, sepse viktimat në Kosovë, dhe në kulturën tonë, mund të mos pranojnë një gjë të tillë,” tha Hoxha.

Qeveria e Kosovës, pret që procesi i ballafaqimit me të kaluarën, të jetë i ndihmuar edhe nga dialogu Prishtinë-Beograd, në të cilin sipas zonjës Hoxha, do të adresohet edhe çështja e riparimeve të dëmeve të luftës.
XS
SM
MD
LG