Ndërlidhjet

Bie niveli i dhënies së informatave për të pagjeturit


Performanca me nga një qiri për secilin të pagjetur, Prishtinë, prill 2013
Performanca me nga një qiri për secilin të pagjetur, Prishtinë, prill 2013

Përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, deklaruan të premten në Prishtinë se tashmë është koha për të ofruar informata të reja lidhur me fatin e personave të pagjetur nga të dyja palët, si Prishtina ashtu edhe Beogradi.

Kryesuesja e Grupit Punues për Personat e Pagjetur në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Lina Milner, tha se familjet e personave të pagjetur jetojnë në ankth të përhershëm, duke mos ditur se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre, dhe si pasojë nuk janë në gjendje të vazhdojnë përpara me jetën e tyre.

Milner, në një konferencë me gazetarë tha po ashtu se humbja e tyre nuk është duke shkaktuar vetëm vuajtje emocionale; kjo situatë i dëmton këto familje edhe financiarisht, sepse, siç u shpreh ajo, në shumicën e rasteve ishte mbajtësi i familjes ai që ishte zhdukur.

“Tani është koha për të ofruar informata të reja. Kjo është më se e nevojshme, në mënyrë që procesi i kërkimit të personave të zhdukur të përparojë dhe në mënyrë që e drejta e familjeve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Është obligim i qeverive që të japin llogari për të zhdukurit, siç është përcaktuar me të Drejtën ndërkombëtare humanitare dhe me Ligjin për të drejtat e njeriut”, tha Milner.

Kurse, anëtari i Komisionit për Persona të Pagjetur dhe shef i delegacionit për këtë çështje, Pajazit Nushi, theksoi se delegacioni i Prishtinës ka shprehur pakënaqësi që në marrëveshjen e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizim marrëdhëniesh mes dy shtetesh, nuk është përmendur çështja e të zhdukurve.

Nushi vlerësoi, po ashtu, se dhënia e informacioneve të reja për të pagjeturit, po bie.

“Pavarësisht që prej asaj kohe kur kemi filluar të punojmë e deri më sot, numri ka zbritur shumë, por ritmi i gjetjes së informacioneve të reja për të zhdukurit po vjen duke rënë”, theksoi Nushi.

Velko Odalloviq, drejtues i Grupit Punues të Serbisë për Personat e Pagjetur, në një konferencë për media ka kërkuar nga të gjithë se në rast se kanë ndonjë informacion për të pagjeturit, t'i informojnë autoritetet përkatëse.

“Sot kemi biseduar për një problem të madh. Mungesën e informatave të reja dhe ndoshta ky është një rast i mirë që të përcjellim një porosi për të gjithë që dinë diçka, për cilindo vend, apo pjesë të territorit që ta ndajë atë informatë me ne, grupin punues, me Kryqin e Kuq, apo sido që të jetë, vetëm që ajo të vërtetohet”, u shpreh Odalloviq.

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të veprojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e fatit të personave që mungojnë, tha Nesrete Kumnova, kryetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.

Ajo, në takim me grupet punuese, theksoi se nëse nuk punohet më shumë në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, nuk do të ketë qetësi as për brezin e tanishëm, e as për atë të ardhshëm.

Nesrete Kumnova
Nesrete Kumnova
“Presim që sa më shpejt që të jetë e mundur të hapen varrezat masive dhe të gjenden trupat e rreth 250 shqiptarëve në Rashkë të Serbisë. Sipas autoriteteve të EULEX-it, një numër i madh i varrezave mbeten për t'u gërmuar në territorin e Kosovës. Dhe, ne presim që kjo do të ndodhë sa më shpejt".

"Presim që të vazhdohet puna në gjetjen e trupave në varrezat në pjesën veriore të Kosovës, pavarësisht rrethanave politike. Unë pres që sa më shpejt të zgjidhet çështja e bashkimeve të kockave në mënyrë të gabuar në varrezat e Çabratit të Gjakovës, në mënyrë që edhe unë të gjej të paktën një kockë nga trupi i birit tim”, deklaroi Kumnova.

Haki Kasumi, drejtues i Asociacionit të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Pagjetur, i tha Radios Evropa e Lirë se puna e të dyja delegacioneve tashmë është shterur dhe se, sipas tij, kjo çështje duhet të kalojë në nivele të Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se për një gjë të tillë është bërë edhe një kërkesë me shkrim te kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar.

“Me shkrim dhe forma të tjera në çdo kontakt me ndërkombëtarët, po edhe me faktorët vendorë kemi kërkuar që dialogu të ngrihet në nivelin e Bashkimit Evropian në Bruksel, ku sigurisht atje ka mundësi dhe mekanizma, të cilët do t'i detyrojnë palët që të punojnë më tepër dhe të hapin dosjet dhe mundësitë për të mbyllur këtë plagë të madhe, me të cilën po përballet shoqëria e Kosovës”, deklaroi Kasumi për Radion Evropa e Lirë.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq publikoi të premten edhe edicionin e pestë të librit për persona të pagjetur.

Libri përmban listën e emrave të 1,754 personave të përkatësive të ndryshme etnike, të cilët ishin raportuar si të zhdukur nga familjaret e tyre në periudhën kohore mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit të vitit 2000.
XS
SM
MD
LG