Ndërlidhjet

Maqedoni: Mbetet i bllokuar hetimi për 24 dhjetorin


Maqedoni, 24 dhjetor
Maqedoni, 24 dhjetor
Bllokimi i punës së Komisionit që duhet të hetojë ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Kuvend, do të ndërlikojë edhe më shumë pozicionin e Maqedonisë në raport me procesin integrues, pasi përveç çështjes së emrit, vendi duhet të plotësojë edhe kritere tjera, përfshirë zbatimin e marrëveshjes së marsit mes pushteti dhe opozitës për zbardhjen e incidentit.

“Për fat të keq, ne edhe më tej sillemi në rrethin e njëjtë. Do të ishte e logjikshme që sipas pasojë e kësaj të kemi përkeqësim të raporteve me BE-në, në fund të vitit. Mbetet të shihet nëse kjo do të rezultojë me pezullimin e rekomandimit për nisjen e bisedimeve me BE-në, apo nëse do të ketë ndonjë formë tjetër tërheqjes së vërejtjes”, thotë Ivan Mariçiq nga Qendra maqedonase për edukim evropian.

Për shkak të qëndrimeve të kundërta që kanë VMRO dhe LSDM rreth pikave të raportit, kryetari i komisionit pesë anëtarësh, Borçe Davitkovski, ka dhënë dorëheqjen.

Në fakt, komisioni duhet të dal me rekomandime dhe të përshkruaj atë që ka ndodhur në Kuvend, kur deputetët e opozitës u larguan me dhunë nga salla e Kuvendit, për të mundësuar miratimin e buxhetit që bllokohej nga ana e tyre përmes formave të ndryshme të protestës.

Përveç incidentit mes deputetëve, komisioni duhet të raportoj edhe për largimin me forcë të gazetarëve, të cilët po përcillnin atë që po ndodhte mes pushtetit dhe opozitës.

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski kërkon që komisioni të vazhdojë me punë edhe pa kryetar, por kjo kundërshtohet nga opozita.

Edhe ekspertët vlerësojnë se Komisioni pa kryetar vështirë se do të mund të funksionojë andaj kërkesa e VMRO-DPMNE-së nuk mban pasi ky komision duhet të përgatisë një raport të qartë dhe objektiv, thotë Naser Zyberi, njohës i zhvillimeve politike dhe ish deputet në disa përbërje parlamentare.

Ai thotë se nëse deri në tetor nuk ka raport real nga Komisioni, kjo padyshim se do të reflektohet negativisht në raportin e KE-së për Maqedoninë.

"Pa u definuar qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është fajtor për atë që ka ndodhur, ne vetëm do ti hedhim pluhur syve dhe nuk do të zgjidhin problemin. Edhe Komisioni Evropian nuk kërkon një raport të tillë, por raport serioz me të cilin do të detektohen të gjitha problemet, fajtorët dhe do të ndërmerren masat e përgjegjësisë vetëm një raport i tillë mund ta zgjidh çështjen dhe të shkohet më tej”, thotë Zyberi.

Ai shton se për rastin konkret përgjegjësia duhet të jetë politike që nënkupton përgjegjësinë e bartësve të funksioneve, të atyre që kanë urdhëruar dëbimin me forcë të deputetëve dhe të gazetarëve nga Kuvendi.

Ai thotë se forma më e mirë për zgjidhjen e këtij problemi do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve apo me formimin e një komisioni nga ana e tyre pasi komisioni aktual sipas tij do të ketë fatin e shumë komisioneve tjera anketuese që janë formuara për çështje tjera por që nuk kanë dhënë asnjëherë rezultate.

”Ky do të jetë në vargun e shumë komisioneve tjera që janë formuar, por që nuk kanë sjellë asnjë fryt, nuk kanë sjellë konkluzione, apo edhe ato që janë sjellë nuk janë përfillur, apo kanë qenë tërësisht jashtë realitetit”, thotë Zyberi.

Nga puna e komisionit varet edhe raporti mes pushtet dhe shoqatës së gazetarëve.

Shoqatat e mediave në vend, mbeten në qëndrimin se dialogu me qeverinë për për çështjet që kanë të bëjnë me mediat do të vazhdojë vetëm nëse zbardhet rasti dhe nëse sanksionohet personat përgjegjës për dëbimin me forcë të gazetarëve nga Kuvendi.
XS
SM
MD
LG