Ndërlidhjet

Dy festa për Kryengritjen e Ilindenit


Historianët shqiptarë dhe ata maqedonas kanë mendime krejtësisht të ndryshme sa i përket formës se si duhet shënuar festat shtetërore.

Derisa historianët maqedonas thonë se në një ditë festive siç është Kryengritja e Ilindenit, fjalimet duhet të jenë festive, duke anashkaluar tërësisht elementet politike, shqiptarët janë të mendimit se kjo është e pamundur përderisa politika aktuale diskriminon historinë shqiptare si gjatë mësimit të nxënësve në libra, ashtu dhe në trajtimin e datave të rëndësishme nga ana e shtetit.

“Dy Gushti, Kryengritja e Ilindenit, është datë, e cila është e shënuar në memorien kolektive të popullit maqedonas dhe kjo datë ka për qëllim t`i bashkojë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, shprehet drejtori i Institutit të Historisë Kombëtare të Maqedonisë, Todor Cepreganv.

“Kryengritja e Ilindenit është po ajo festë që duhet të na bashkojë të gjithë neve, që jetojmë në Maqedoni që do të thotë se këto festa kanë një qëllim të caktuar, të na bashkojnë rreth një ngjarje, e cila është shumë e rëndësishme për themelet e shtetit ku jetojmë”, shton Cepreganov

Ai thekson se porositë nga kjo kryengritje e përbashkët e të gjithë popujve në Maqedoni, janë më se të qarta se vetëm të bashkuar mund të realizojmë qëllimet tona, ndërkaq, ndasitë, shprehet Cepreganov, mund ta çojnë shtetin në një drejtim të padëshiruar.

Por, historianët shqiptarë thonë se nuk mund të flasin për lojalitet ndaj shtetit përderisa një pjesë e institucioneve shtetërore në vazhdimësi shtrembërojnë faktet e kontributit të shqiptarëve në këtë shtet.

Zeqiria Rexhepi, ligjërues në Fakultetin e Historisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se shqiptarët kanë dëshmuar shumë herë në të kaluarën se janë lojalë në ndërtimin e shtetit të Maqedonisë, por kjo nuk është kthyer në të njëjtën masë, madje një pjesë e institucioneve shtetërore ende vazhdojnë t’i shtrembërojnë faktet historike rreth së kaluarës.

Shqiptarët e Maqedonisë vazhdimisht kanë marrë pjesë në shumë ngjarje të rëndësishme në krijimin e këtij shteti, në Republikën e Maqedonisë. Megjithatë, ky kontribut, këto fakte, janë tjetërsuar në periudhën e paqes, të shprehem kushtimisht. Ka më shumë fakte se shqiptarët e kanë ndihmuar kryengritjen e Ilindenit dhe ngjarjet rreth kryengritjes së Ilindenit, ngase edhe shqiptarët ishin të robëruar si edhe maqedonasit dhe popujt e tjerë në Ballkan nga pushtimi osman”.

“Edhe në periudhën e mëvonshme po të shikohen zhvillimet në aspektin analogjik gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët dhanë kontribut të madh. Por, gjatë periudhës së paqes, pas luftërave, shqiptarët i kanë humbur këto të drejta”, thekson Rexhepi

Siaps Rexhepit, përderisa nuk trajtohen në mënyrë të barabartë shqiptarët nga institucionet shtetërore, ata nuk do t’i ndiejnë festat si pjesë e së kaluarës së tyre.

“Shqiptarët akoma nuk i konsiderojnë festat shtetërore si festa që u përkasin edhe atyre, e theksoj për fat të keq, dhe sot e kësaj dite vazhdon një trend i këtillë, sado që politika bën përpjekje të aktrojë një realitet ndryshe, por shqiptarët esencialisht këto festa nuk i ndiejnë edhe si festa të tyre”, thekson Rexhepi.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Historisë Kombëtare të Maqedonisë, Todor Cepreganv, nënvizon se festat kombëtare, siç është ajo e Ilindenit nuk duhet të marrin në asnjë mënyrë karakter politik ose etnik.

“Këto festa, dy Ilindenet, duhet t`i festojnë me dinjitet të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që të demonstrohet unitet si në mesin e politikë-bërësve, ashtu dhe në mesin e qytetarëve në porositë që u dhanë në dy kryengritjet, atë të Ilindenit dhe ASNOM-t”, konsideron Cepreganov.

Ndryshe, Maqedonia të premten i shënon dy Ilindene - 110 vjet nga kryengritja e Ilindenit dhe 69 vjet nga Kuvendi i Parë i ASNOM-it.

Ilindeni, ose Dita e Shën Ilisë, është festë nacionale dhe ortodokse që shënohet më 2 gusht. Në këtë ditë, në vitin 1903 ka filluar Kryengritja e Ilindenit, rezistenca e armatosur e Organizatës revolucionare maqedonase kundër pushtetit osman.

Po ashtu, më 2 Gusht 1944, në manastirin “Shën Prohor Pçinski” është mbajtur Kuvendi i Parë Antifashist për çlirim kombëtar të Maqedonisë, organ suprem ligjdhënës dhe ekzekutiv i Republikës Federale të Maqedonisë në periudhën prej gushtit të vitit 1944 deri në prill të vitit 1945.

Në Krushevë dhe Pelince të Kumanovës zyrtarët e lartë të vendit janë duke mbajtur aktivitete të shumta, por pjesëmarja e shqiptarëve është pothuajse e padukshme.
XS
SM
MD
LG