Ndërlidhjet

Vritet një pjesëtar i EULEX-it


Vendngjarja...
Vendngjarja...
Një zyrtar i EULEX-it ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri në rajonin e komunës së Zveçanit, kanë konfirmuar zyrtarë të EULEX-it.

Zëdhënësi i misionit evropian për sundimin e ligjit, Blerim Krasniqi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se incidenti ka ndodhur në rajonin e Zveçanit dhe si pasojë, një person ka humbur jetën.

“Sot në mëngjes, rreth orës 07:30, dy vetura të EULEX-it që i bartnin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1, janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit. Si pasojë e këtij incidenti, ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. Task Forca në Mitrovicë është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar. Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë kryerësit e kësaj vepre përpara drejtësisë”, ka deklaruar Krasniqi.

Nga ana tjetër, komandanti i Policisë në jug të Mitrovicës, Ergin Mediq, bëri të ditur, po ashtu, se një automjet i EULEX-it, në të cilin kanë qenë tre persona, është sulmuar me armë zjarri. Ai ka thënë se deri më tash nuk dihet se nga ka ardhur sulmi.

“Një makinë e EULEX-it, e cila ka qenë në rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviq, te fshati Ballaban, komuna e Zveçanit, është sulmuar nga persona të armatosur. Me këtë rast është plagosur rëndë doganieri A.S. nga Lituania, i cili është dërguar menjëherë në spital në veri të Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë. Në makinë kanë qenë edhe dy pjesëtarë të EULEX-it. Ata dy nuk janë plagosur", ka thënë Mediq.

Më vonë në një konferencë për media, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, nuk ka dhënë shumë detaje për incidentin, por ka deklaruar se sulmi ndodhi në një pritë.

“Në makinë ishte një koleg yni çek, bashkë me kolegun e Lituanisë. Kolegu çek, nuk ka shenja të dallueshme të plagëve, por ai është i shtrirë në njësinë tonë mjekësore. Nuk mund të konfirmoj nëse ai është i plagosur apo i lënduar. Nuk kemi parë gjë nga plagët, por njerëzit lëndohen nga aksidentet e makinës. Sa i përket pritës, s’di se si ndryshe mund të quhet ky sulm”, është shprehur shefi i EULEX-it Borchardt.

Kurse, drejtori i Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë, Milan Ivilanoviq, ka thënë se zyrtari i plagosur i EULEX-it është sjellë në spital pa ndjenja, pak pas orët tetë dhe se mjekët u përpoqën që të vënë në jetë, por pa sukses.

Ivanoviq ka shpjeguar se i ndjeri ka pasur një plagë me armë zjarri në krahun dhe këmbën e djathtë.

EULEX-i e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarëve të EULEX-it.

Ky mision, po ashtu, i ka bërë thirrje komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitar, apo që di ndonjë gjë lidhur me këtë incident, që të informojnë organet kompetente. Hetimet për incidentin sipas autoriteteve të rendit, janë duke vazhduar.
XS
SM
MD
LG