Ndërlidhjet

Adoleshenti shembullor në shkollë, grabitës bankash


(Ilustrim)
(Ilustrim)
Një adoleshent britanik që përshkruhet si “nxënës shembullor” e ka pranuar të martën se e ka grabitur një bankë duke kërcënuar me një armë false.

15 vjeçari të cilin mediat nuk e kanë identifikuar për arsye ligjore, e ka grabitur degën e bankës Barclays në Liverpool, të premtën, prej të cilës i ka marrë 2400 euro.

E ëma e tij e ka dorëzuar atë në polici pasi ja ka gjetur thesin me para dhe armën false në dhomën e tij të gjumit.

Gjyqtari Ian Lomax ka thënë se djaloshi ka vepruar sikur të ishte duke luajtur me “video game”.

Ai ka thënë se ky është një “rast bizarr, surreal i një djaloshi që vepron sikur të ishte në një ‘video game’ aksioni”.

Prokurorja e rastit, Debra Chan ka thënë se 15 vjeçari ka hyrë në bankë derisa fytyrën e ka pasur të mbuluar me shall, e ka nxjerrë armën dhe ju ka thënë punonjësve: “Mos bëni asnjë budalleki. Unë sapo kam dal prej burgut pas pesë vjetësh”.

Prokurorja Chan ka thënë se arsyeja që e ka shtyrë djaloshin ta kryej krimin është sepse ai dëshironte të kishte gjërat materiale që personat e tjerë më të pasur i kanë.

Sidoqoftë në gjykatë është thënë se ai është një nxënës shembullor në shkollë.

Avokatja mbrojtëse e tij, Esther Leach ka thënë se ai vjen nga një “familje shumë, shumë e mirë” dhe se në shkollë ka rezultate shumë të mira.

Vendimi për këtë rast do të jepet më 15 tetor .
XS
SM
MD
LG