Ndërlidhjet

Maqedoni: Qytetarët "privohen" nga informatat publike


Shumica e qytetarëve të Maqedonisë, edhe pse e kanë të garantuar me ligj, nuk kanë njohuri se kanë të drejtë të kërkojnë dhe të marrin informacione të karakterit publik nga Qeveria, ministritë dhe institucionet tjera shtetërore.

Rreth 40 për qind e institucioneve nuk kanë marrë as edhe një kërkesë për dhënien e ndonjë informacioni, ndërsa ata që kanë kërkuar informacione për çështje të caktuara, nuk kanë marrë përgjigje dhe kjo, sipas tyre, ka të bëjë me frikën që ekziston tek zyrtarët për pasojat eventuale për informacionet e publikuara.

Të dhënat e këtilla janë bërë të ditur nga një hulumtim i realizuar nga Fondacioni për Shoqëri të hapur me rastin e ditës ndërkombëtare për qasje të lirë të informacioneve me karakter publik.

“Është shqetësues fakti se mbi 52 për qind e përgjigjeve të pyetësorit, flasin se te zyrtarët ekziston frika e plotë për publikimin e informacionit. Edhe pse pjesa tjetër e të anketuarve, gjithashtu, janë deklaruar për frikë nga publikimi i informatave, ndërsa 84 për qind e atyre që kanë parashtruar kërkesa për marrjen e ndonjë informate, janë të pakënaqur nga përgjigjet dhe as që kanë parashtruar ankesa në instancat tjera, meqë praktika tregon se ato nuk janë shqyrtuar apo nuk kanë pasur epilog“, ka deklaruar Marija Petrovska nga Instituti për shoqëri të hapur.

Sipas hulumtimit të realizuar, qytetarët më së shumti kërkojnë informacione për marrëveshjet e ankandeve, të dhënat statistikore, raportet vjetore financiare, e të tjera. Maqedonia ka rregullativë të mirë ligjore, por kjo është vetëm në letër pasi institucionet nuk janë transparente, ato janë të mbyllura për informata, e në veçanti për mediumet, të cilat trajtojnë problematika të ndryshme, është shprehur komunikologu Petars Arsovski.

“Kemi shumë vërejtje nga gazetarët dhe personalitete tjera, të cilët nuk kanë pasur mundësi që të kenë qasje tek informacionet e karakterit publik. Mendoj se këtu në Maqedoni, ka një dallim të madh mes praktikës dhe rregullativës ligjore, e cila është e mirë, por që humb peshën, meqë nuk zbatohet në praktikë”, ka theksuar Arsovski.

Nga Komisioni shtetëror për qasje të lirë tek informacionet e karakterit publik, thonë se akuzat e organizatave joqeveritare, nuk qëndrojnë, pasi institucionet kanë shënuar rezultate sa i përket transparencës.

Rezultatet mund të jenë edhe më të mira, por krahasuar me vitet e kaluara, ato janë evidente, ka thënë zëvendëskryetari i Komisionit, Blerim Hyseni.

“Mendoj se akuzat për mungesë të transparencës nuk kanë ndonjë bazë të saktë, për shkak se ne, si komision, veprojmë në bazë të ankesave të parashtruara nga qytetarët dhe organizatat joqeveritare. Sa për krahasim, p.sh në vitin 2012 kemi pasur 1225 ankesa, ndërkohë që në vitin 2013, apo deri këtë muaj kemi vetëm 506 ankesa dhe me vetë faktin që numri i ankesave ka rënë deri në këtë periudhë, tregon se institucionet megjithatë janë të prira të japin informacione të karakterit publik".

"Në këtë kuadër vlerësoj se ka edhe probleme tjera teknike, siç është edhe përgatitja nëpër institucione e personave zyrtar dhe ne si komision edhe për këtë çështje kemi mbajtur llogari duke organizuar trajnime të ndryshme për personat zyrtarë nëpër institucionet shtetërore dhe publike të Maqedonisë”,
ka thënë Hyseni.

Edhe pse sot është Dita Ndërkombëtare për qasje tek informatat e karakterit publik, komisioni në fjalë nuk ka organizuar asnjë aktivitet me arsyetimin se nuk është miratuar nga ana e Komisionit Evropian një projekt i tyre për organizimin e një konference rajonale, ndërsa aktivitete tjera nuk janë paraparë për shkak të, siç theksojnë ata, mungesës së fondeve.
XS
SM
MD
LG