Ndërlidhjet

Maqedoni: Qeveria tenton të heqë përgjegjësinë


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Ish-diplomati Denko Maleski, duke komentuar kërkesën e fundit të kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që OKB-ja të mos qëndrojë duarkryq, por të angazhohet me veprime konkrete që Maqedonia të tejkalojë kontestin që ka me Greqinë, për çështjen e emrit, e vlerëson si tentativë për të zbarkuar përgjegjësinë që ka si kryeministër.

Sipas Maleskit, fillimisht duhet angazhuar në ndërtimin e një konsensusi të brendshëm për këtë problem serioz, me të cilin përballet vendi dhe më pas duhet kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së.

"Tani duhet të fokusohemi se si të dalim nga problemi, në të cilin jemi një kohë të gjatë, si t`i mobilizojmë fuqitë e mëdha për të na ndihmuar? Por, para së gjithash duhet të ndërtohet një strategji e qartë si të dilet nga kjo situatë, meqë Greqia ka mundësi edhe 100 vjet të presë, sepse s`humbet asgjë kurse Maqedonia po, ngase mbetet jashtë strukturave euro-atlantike”, thotë Maleski .

Sipas tij, mungesa e debatit dhe mbajtja e negociatave në nivelin më të lartë të fshehtësive nuk çon kah zgjidhja e kontestit:

"Duhet hapur një debat i gjerë rreth asaj çka është ajo që nga sjellja jonë iriton fqinjët tanë, cilat janë kompromiset dhe si të gjinden rrugët që do të çonin kah pajtimi dy popujve, mendoj grekëve dhe maqedonasve”.

Edhe partia shqiptare në pushtet, BDI, konsideron se janë pjekur të gjitha kushtet që të hapet një debat më i gjerë se çka përmbajnë ofertat që shtrohen në tavolinë nga ana e ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic.

"Problemi është se dilemat që janë krijuar në opinion se a po rrezikohet identiteti i maqedonasve ose jo, mendoj se pikërisht këtu është krijuar ajo amullia, e cila nxit frikën te qytetarët. Përmes debateve, ne duam ta zbardhim këtë dilemë se propozimet e ndërmjetësuesit të OKB-së nuk kanë të bëjnë me çështjen e identitetit, por kanë të bëjnë vetëm me ndryshimin e një reference, e cila edhe ashtu, si e tillë, është e papranueshme. Andaj, ndryshimi nuk përbën ndonjë dëm për qytetarët e Maqedonisë”, shprehet zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Nga ana tjetër, Ylber Sela, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se pikërisht kërkesa e kryeministrit Gruevski që OKB të angazhohet në zgjidhjen e kontestit për çështjen e emrit që ka Maqedonia me Greqinë, tregon qartë se zgjidhja është shumë larg dhe se kreu i Qeverisë maqedonase nuk është i gatshëm për kompromis.

"Kryeministri Gruevski të gjitha debatet i mban larg syve të qytetarëve dhe mediave. Në këtë drejtim dëshmon se nuk ka vullnet për të gjetur një kompromis që duket se është çështje shumë e ndjeshme për palën maqedonase, por duke pasur parasysh se Maqedonia nuk mund t`i realizojë prioritetet e saj strategjike me moszgjidhjen e emrit, ky do të ishte një izolim për vetë Maqedoninë si shtet”, vlerëson Sela.

Analistët janë të mendimit se , idetë që do të çonin kah kapërcimi i kontestit, duhet të vijnë nga vetë ata që kanë problem gjegjësisht Maqedonia, e cila pëson humbje më të mëdha me bllokimin e procesit të integrimit për më shumë se dy dekada.
XS
SM
MD
LG