Ndërlidhjet

Hyrja ilegale e Vulinit dhe vizita e Daçiqit në Kosovë


Hyrja ilegale në Kosovë e ministrit pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, nuk do të ndikojë në çështjen e vizitave të zyrtarëve serbë gjatë kohës së fushatës zgjedhore.

Të shtunën, Kosovën do ta vizitojë edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Vizita e tij, është konfirmuar nga vetë kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se homologu i tij Daçiq, vjen në Kosovë në një vizitë të karakterit fetar në manastirin e Graçanicës, kështu që nuk ka parë asnjë arsye pse të ndalohet.

Është një kërkesë e kryeministrit të Serbisë për të vizituar manastirin në Graçanicë dhe kjo vizitë ka karakter religjioz. Si një kërkesë me karakter strikt religjioz, mendoj se nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë”, është shprehur Thaçi.

Ndërsa ka konfirmuar vizitën e Daçiqit, kryeministri i Kosovës e ka cilësuar si ilegale hyrjen e ministrit serb për Kosovën, Aleksander Vulin, të cilit i ishte shqiptuar masa e ndalesës, pasi që kishte përdorë vizitën për qëllime politike të fushatës zgjedhore.

Ministri pa portofol për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Vulin është parë të enjten në pjesën veriore, krahas ministres serbe për energjetikë, Zorana Mihajloviq.

Kjo e fundit kishte lejen e autoriteteve të Kosovës për vizitën dhe se për sigurinë e saj është përkujdesur policia e Kosovës në veri.

Komandanti rajonal i Policisë së Kosovës për veriun, Nenad Gjuriq i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, megjithatë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të saktë se përse ishte lejuar Vulin të jetë pjesë e tubimeve të ministres Mihajloviq, përkundër faktit që ndaj tij ishte shqiptuar një masë ndalese për hyrje në Kosovë pasi që më parë kishte shkelur rregullat e autoriteteve të Prishtinës për vizitat e zyrtarëve serbë gjatë kohës së fushatës.

“Për këtë duhet të flisni me Prishtinën, si ka hyrë, kah ka hyrë. Pjesëtarët e policisë kanë përcjellë zyrtarisht vizitën e ministres Mihaloviq”, ka thënë Gjuriq.

Ai nuk ka dashur të flasë në lidhje me atë se përse nuk kishte reaguar policia kur e kishte parë në shoqërimin e ministres Mihaloviq edhe ministrin Vulin.

Po në lidhje me këtë çështje, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se Vulin ka hyrë ilegalisht në Kosovë, por çështja e përcjelljes policore gjatë vizitës së Mihajloviqit dhe prania e Vulinit, janë të ndara njëra me tjetrën.

“Çështja e përcjelljes së delegacionit të ministres Mihajloviq, nuk ndërlidhet fare me atë të hyrjes ilegale të Vulinit”, ka thënë Kelani.

Situatën e krijuar në lidhje me vizitat e zyrtarëve serb gjatë fushatës, për Radion Evropa e Lirë e ka komentuar edhe analisti Shpend Kursani.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës fillimisht kishte marrë vendim të drejtë kur kishte ndaluar vizitat e zyrtarëve serbë gjatë fushatës, pasi që sipas tij, gati është e paimagjinueshme që vizita të tillë ta jenë vetëm të karakterit fetar.

Gabimi sipas Kursanit, është bërë në momentin kur qeveria dhe kryeministri Thaçi e negociuan çështjen e këtyre vizitave me Serbinë dhe kryeministrin Daçiq në Bruksel, pasi që kjo është një punë e brendshme e Kosovës.

“Vizita e Vulinit, sidomos pa lejen e autoriteteve të Kosovës, është injorim i ekzistencës të autoritetit gjegjësisht sovranitetit të Kosovës dhe normalisht shkelje e rregullave të saj”, ka vlerësuar Kursani.

Duke u ndërlidhur tani edhe me vizitën e radhës së kryeministrit Daçiq, në Kosovë, analisti Shpend Kursani thotë se qeveria nuk ka mund të ndalojë këtë vizitë, pavarësisht skandalit që ka shkaktuar ministri serb, Vulin.

Por, Kursani nuk pret që Daçiq të realizojë një vizite krejt fetare, siç pret kreu i Qeverisë së Kosovës.

“Vizita e Daçiqit nuk duhet të na befasojë, por duhet të na befasojë rishqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për lejimin e hyrjes së zyrtareve serbë në Kosovë. Sa i përket vizitës së kryeministrit Daçiq, unë mendoj që çdo zyrtar serb i përdorë vizitat e natyrës fetare vetëm si një vizë për të hyrë në Kosovë dhe për të bërë fushatë zgjedhore”, ka thënë Kursani.

Duke u nisur nga fakti se Qeveria e Serbisë po mbështet fuqishëm në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë një iniciativë qytetare serbe të cilën e prezanton si mbrojtëse të interesave serbe në Kosovë, autoritetet e Prishtinës fillimisht i ndaluan këto vizita gjatë kohës së fushatës.

Më pas, gjatë një takimi në nivel kryeministrash të zhvilluar në Bruksel në ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, krerët e të dyja qeverive ishin marrë vesh që vizitat nuk mund të ndalohen, por ato nuk duhet të kenë karakterin politik që lidhet me ndërhyrje në fushatën zgjedhore.

Megjithatë, ishte ministri Vulin ai i cili shkeli këto rregulla duke i dhënë mbështetje iniciativës qytetare serbe për çka, Prishtinë më pas i kishte shqiptuar masën e ndalesës së hyrjes në Kosovë.

Sidoqoftë, Vulin kishte hyrë në Kosovë, sipas interpretimit të autoriteteve në Prishtinë, në mënyrë ilegale.
XS
SM
MD
LG