Ndërlidhjet

Sulmi në veri ishte i orkestruar, jo huliganizëm(?)


Veri...
Veri...
“Bashkësia ndërkombëtare ua ka lënë serbëve që të vetëvendosin”, se si do të duket veriu i Mitrovicës pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, dhe këtë gjë e dinë edhe Prishtina zyrtare, thotë kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq.

Shefi i qeverisë serbe tash e disa ditë po bën thirrje që serbët e komunës veriore të Mitrovicës të dalin për të votuar, për të pamundësuar zgjedhjen e një kryetari me përkatësi kombëtare shqiptare.

Të hënën ai porositi nga Beogradi se në veri të Kosovës, Qeverisë së Serbisë po i këputen kanalet e financimit të institucioneve që ka në këtë zonë të dominuar me serbë, andaj edhe duhet dëgjuar thirrja e tij që të dilet në zgjedhje.

“Thjesht, situata ka ndryshuar. Sot situata nuk është si para 14 ose para 5 vjetësh. Serbisë nuk po i lejohet që të ketë institucione poshtë në Kosovë, Serbisë nuk po i lejohet që të bëjë financim si duam ne vet. E vetmja mënyrë është krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe”, tha kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq.

Zgjedhjet e 3 nëntorit janë procesi i parë zgjedhor ku kanë marrë pjesë edhe katër komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan, Lleposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

Procesi i votimit u ndërpre atje dy orë para kohe, pas sulmit në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës, kur persona të maskuar hyn në vendvotime dhe demoluan gjithçka para vetes.

Deri më tani fajin për këtë lëshim në aspektin e sigurisë iu vesh Policisë së Kosovës dhe aktorëve të tjerë të rendit.

Mirëpo, interpretimi politik i qeverisë në Prishtinë, del të jetë më i ndryshëm, pasi shefi i diplomacisë kosovare sheh se këtu ka gisht edhe Beogradi zyrtar.

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka këtë argument:

“Sulmi që ka ndodhur në komunën e Mitrovicës Veriore, ka qenë sipas informatave që ne disponojmë i planifikuar, i organizuar dhe assesi nuk duhet të kuptohet si një vepër e huliganëve. Unë mendoj se prapa këtij sulmi qëndrojnë strukturat ilegale të Serbisë, të cilat do të duhej të shpërbëheshin, por të cilat nuk janë shpërbërë, dhe të cilat në një formë funksionojnë edhe më tutje, dhe paraqesin problem për sigurinë”, thotë Hoxhaj për Radion Evropa e Lirë.

Se skenat e dhunës në veri ishin të orkestruara e thotë edhe një njohës i mirë i rrethanave në Beograd e Prishtinë.

Drejtuesi i Forumit për Marrëdhënie Etnike, me seli në Beograd, Dushan Janjiq thotë për Radion Evropa e Lirë se asnjëra palë, as në Prishtinë dhe as në Beograd, nuk po mundohet që të përcaktojë se çfarë ndodhi realisht.

“Definicioni i vetëm është se bëhet fjalë për një ngjarje goxha të orkestruar, ku një pjesë e orkestrës bënë muzikë në Beograd, pjesa tjetër e orkestrës Mitrovicë, një pjesë diku në arenën ndërkombëtare, dhe nuk e përjashtoj as qeverinë e Kosovës, por si një pjesëmarrës të veçantë”, thotë ai.

Tensionet janë shtuar së fundi në veri të lumit Ibër, që ndan qytetin në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe serbët që dominojnë në veri, ku personat e përfshirë në procesin zgjedhor kanë qenë cak i sulmeve brutale, bashkë me familjet e tyre.

Në veri serbët janë të ndarë në dysh, pro dhe kundër zgjedhjeve, kurse më të zëshmit për muaj të tërë kanë qenë serbët nga blloku anti-zgjedhor, që thirrin për bojkot të procesit, pasi vlerësojnë se me daljen në votime, Serbia e humb veriun, dhe me automatizëm kjo nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dushan Janjiq ndërkaq vlerëson se incidentet në veri tani po eksploatohen nga politika në Beograd dhe Prishtinë për interesa të tyre.

Natyrisht se tani politikanët i kanë interpretimet e veta. Unë personalisht kam problem me interpretimin që jep kryeministri Daçiq, sepse nuk e di përse do të ishte motiv i imi si qytetar i Mitrovicës, që të dal për të votuar vetëm që të mos fitoj shqiptari. Ky s’është motiv. Sa i përket interpretimeve të tjera, do të jenë të shumta, por ato shërbejnë vetëm për të mbuluar të vërtetën”, vlerëson ai.

Policia për rajonin e veriut planifikon që të shtojë praninë e vet të dielën, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të jetë dita për rivotim në Mitrovicën e Veriut.
XS
SM
MD
LG