Ndërlidhjet

Situata në veri kishte mundësi të shmangej


Atmosfera e tensionuar e cila ka mbretëruar ditën e diel në Mitrovicën e veriut, derisa po zhvillohej procesi zgjedhor, nuk është krijuar vetëm atë ditë, por ka qenë e akumuluar me muaj të tërë, vlerësojnë kandidatët që kanë qenë në garë për të parin e kësaj komune.

Të dielën, persona të maskuar, rreth 2 orë para përfundimit të afatit të votimeve, kanë sulmuar Qendrën e votimin në shkollën “Shën Sava”, si dhe kanë kërcënuar edhe dy qendra tjera të votimit në Mitrovicën e veriut.

Kandidati nga iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, atmosferën e së dielës e ka quajtur të pashëndetshme dhe sipas tij, e tillë ka qenë që nga paralajmërimet se në veri do të mbahen zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Kjo është atmosferë mjaft e pashëndetshme, plot me tensione dhe me disa konflikte edhe pse jo të mëdha. Por, të gjitha këto e frikësojnë njeriun e thjeshtë dhe ai në atmosferë të tillë nuk mendon për zgjedhje. Mjaft njerëz të mirë, të cilët kanë edhe qëndrim politik, por nuk kanë mjaft guxim, kanë ndarë mendjen që atë ditë të mos jenë në Mitrovicë. Atë ditë, Mitrovica ka qenë qytet i braktisur, përveç rreth vendvotimeve”, theksoi Ivanoviq.

Kandidatja tjetër për kryetare të komunës së Mitrovicës së veriut, por e pavarur, Adriana Hoxhiq, njëherësh edhe drejtuese e Zyrës Administrative në Veri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata në këtë qytet, ditën e zgjedhjeve, ka qenë e rëndë.

Por, sipas saj, dëmi i shkaktuar nga huliganët ka mundur të evitohej, sikur të ishte treguar vullnet më i madh i faktorëve që kanë qenë të involvuar në procesin e zgjedhjeve.

“Ajo që është pikëlluese në gjithë këtë rrëfim është se po të kishim njerëz më të qëndrueshëm, të cilët kanë qenë të kyçur në procesin zgjedhor edhe ditën e diel, po të ishin OSBE dhe EULEKS-i më e qëndrueshëm dhe po ta kishte bërë policia punën e saj ashtu siç duhet, mendoj se do të kishim mundur ta kemi rrëfimin e suksesshëm atë ditë".

"Duke pasur parasysh se kjo nuk ka ndodhur, atëherë duhet të presim rezultatet e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndryshe, tashmë po spekulohet për dy apo tri mundësi, por të shohim se çfarë do të vendosin ata në fund”, tha Hoxhiq.

Ndryshe, kandidati për kryetar të Mitrovicës së veriut nga Iniciativa Qytetare Serbe, Kërstimir Pantiq,menjëherë pas incidenteve në qendrat e votimit në këtë qytet kishte kërkuar të përsëriten zgjedhjet.

Ai ka theksuar se procesi zgjedhor është dëmtuar rëndë dhe pret që zgjedhjet të anulohen.

“Unë pres që bashkësia ndërkombëtare të anulojë zgjedhjet në Mitrovicën e veriut dhe t’i shpallë për një kohë sa më të shkurtë të mundshme”, pati theksuar Pantiq.

Por, lidhur me mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve, dy kundër kandidatët e Pantiqit, Ivanoviq dhe Hoxhiq, kanë pikëpamje të ndryshme.

Ivanoviq shpreh mendimin se rezultatet e votimeve në Mitrovicën e veriut, pas sulmeve të huliganëve dhe thyerjes së kutive të votimit, nuk do të duhej të shpallen të vlefshme.

Materiali zgjedhor është i kontaminuar në të gjitha vendet. Kutitë e votave ose janë thyer ose kutitë janë lënë të vetmuara dhe kjo nuk është mirë. Kjo është bazë për anulimin e zgjedhjeve. Në qoftë se kutitë nuk janë nën kompetencën e plotë të asaj që i ka organizuar zgjedhjet në veri – e ajo është OSBE-ja – atëherë ato rezultate sigurisht se nuk mund të jenë të pranueshme".

"Në anën tjetër, kjo klimë, e cila nuk është diçka e parëndësishme, është e papërshtatshme për çfarëdo zgjedhjesh. Kështu që mendimi im është që zgjedhjet duhet të përsëriten, vetëm se çështja është se kur duhet të ndodhë kjo, sepse përsëritja e tyre në afat prej 15 ditësh, frikësohem se nuk do të jepte ndonjë rezultat tjetër. Përkundrazi, do të kishte dalje më të ulët në votime”, vlerësoi Ivanoviq.

Por, Hoxhiq mendon ndryshe. Sipas informatave që ajo ka, materialet zgjedhore janë bartur në jug të Mitrovicës, ndërkohë që sipas saj edhe qendrat e votimeve në të cilat nuk janë shënuar incidente, janë mbyllur para afatit.

Megjithatë, ajo vlerëson se materiali zgjedhor aq sa është dhe në gjendjen që është, duhet të shqyrtohet.

Unë mendoj se të gjitha rezultatet nga ato vendvotime duhet të shfrytëzohet, sepse ai material nuk është për tu hedhur, por duhet të trajtohet si i vlefshëm. Sa u përket tri shkollave, ku ka pasur incidente, unë kam informata të ndryshme".

"Po marr informata se vetëm në një shkollë materiali është hapur apo rrezikuar, ndërkaq në dy shkollat tjera materiali nuk është rrezikuar. Në anën tjetër, marr informacione se materiali nga të tri shkollat është hapur dhe hedhur dhe natyrisht, kjo gjithçka vë në pikëpyetje. Kështu që aty ku kutitë nuk janë prekur, ato do të duhej të vlerësohen të vlefshme”, ka shprehur mendimin Hoxhiq.

Ndryshe, incidentet në ditën e votimit në Mitrovicën e veriut janë dënuar nga të gjithë faktorët relevant vendor dhe ndërkombëtarë.

Ndërkohë, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesit e Shtabit për bojkotimin e zgjedhjeve në veri, kanë akuzuar njëri- tjetrin për sulmet mbi qendrat e votimit dhe vazhdojnë ta bëjnë ende këtë.
XS
SM
MD
LG