Ndërlidhjet

Maqedoni: Sërish incidente në autobusë


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet policore në Maqedoni kanë bërë të ditur se ende nuk kanë arritur të zbardhin identitetin e autorëve, të cilët të enjten mbrëma sulmuan autobusin në fshatin Stajkovc të Shkupit. Dhjetë persona të maskuar dhe me shufra druri kishin hyrë në autobus dhe kishin sulmuar udhëtarët, kryesisht nxënës të shkollave të mesme, tetë prej të cilëve përfunduan me lëndime në spital.

Policia maqedonase thotë se është duke punuar intensivisht që sa më parë të gjenden autorët e këtij rasti.

Autoritetet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë intensivisht në zbardhjen e identitetit të autorëve, të cilët e kryen sulmin, si dhe ndriçimin e tërësishëm të këtij rasti”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Policisë, Vesna Bendevska.

Më vonë është deklaruar edhe numri një i dikasterit të policisë, Gordana Jankullovska, duke theksuar se incidenti i së enjtes në autobusin 65, nuk ka qenë i vetmi.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Jankullovska, ka konfirmuar incidentin e mbrëmshëm në Hasanbeg të Shkupit, ku mbetën të lënduar rëndë gjashtë fëmijë.

Jankullovska ka thënë se hetimet për gjetjen e sulmuesve po vazhdojnë, por deri tani nuk kanë ndonjë informacion.

“Gjatë ditës së djeshme kishte më tepër incidente. Më serioz ishte incidenti që ndodhi rreth orës 20, ku 6 persona janë ankuar nga lëndimet, bëhet fjalë për persona të mitur, pra për fëmijë. Edhe për këtë incident, por edhe për incidentet e tjera që kanë ndodhur dje, përfshi këtu incidentin e orës 13 në rrugën ‘Brigada e Tretë Maqedonase’, dhe incidentin në bulevardin ‘Boris Trajkovski’, pra për të tri incidentet e ditës së djeshme ne po punojmë intensivisht, dhe kemi marrë të gjitha masat dhe aktivitetet që janë nën kompetencat tona”, është shprehur për mediat Jankullovska.

Si masë parandaluese për të ruajtur qetësinë dhe rendin, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se nëpër shkollat e vendit edhe më tej vazhdojnë të qëndrojnë pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme dhe sigurimi i shkollave, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë dhe evitimit të incidenteve.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Mirjana Najçeska, aktiviste për të drejtat e njeriut, sipas së cilës incidenti i mbrëmshëm ka për qëllim që të tërheqë vëmendjen e opinionit nga politikat e gabuara të Qeverisë duke prekur në pikën më të ndjeshme raportet ndëretnike në vend.

“Duhet të veprohet në më shumë drejtime për t’i parandaluar këto incidente, duke filluar nga procesi arsimor që duhet të krijojë mundësi për të gjetur pikat e përbashkëta që tangojnë interesat e të rinjve maqedonas dhe atyre shqiptarë. Pastaj, në këtë drejtim duhet të punojnë dhe mediat, si dhe nevojitet t’i kushtohet më shumë kujdes gjuhës politike që përdorin autoritetet politike”, ka theksuar Najcevska.

Ajo ka shtuar se partitë politike, pa përjashtim, këto incidente i shfrytëzojnë për interesat e tyre, për t’u dëshmuar para elektoratit se janë të angazhuar në zgjidhjen e këtij problemi.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë disa herë kanë theksuar se paraqesin shqetësim për të ardhmen e vendit incidentet ndëretnike të shfaqura në rrugët e Shkupit, në autobusët urbanë dhe në ndeshjet sportive.
XS
SM
MD
LG