Ndërlidhjet

Masa të rrepta sigurie për rivotimet në Mitrovicë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i paralajmërojnë masa të shtuara sigurie për të krijuar mbarëvajtje të zgjedhjeve në tri qendra të votimit në pjesën veriore të Mitrovicës, këtë të diel.

Përsëritja e votimeve në këto tri qendra, vjen si pasojë e dhunës që ishte ushtruar nga një grup njerëzish më 3 nëntor që kishte sjellë deri te mbyllja e parakohshme e tyre. Andaj, më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim që votimet në këto 3 qendra të përsëriten më 17 nëntor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka tashmë një plan operativ, i cili do të zbatohet për të siguruar mbarëvajtjen e gjithë procesit të rivotimeve në këto qendra në Mitrovicën veriore.

“Policia e Kosovës do të jetë e kyçur dhe e përgatitur për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend që do të nënkuptojë para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve".

"Pra, do të bëhet sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale dhe zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numrit dhe depos qendrore deri në përfundim të numërimit të votave. Po ashtu, do të bëhet edhe përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara deri në përfundim të këtij operacioni”,
ka thënë Kelani.

Masat e shtuara të sigurisë, po ndërmerren në koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.

Një zëdhënëse e misionit të EULEX-it në Prishtinë, Irina Gudeleviq, ka thënë se qytetarët do të kenë më shumë siguri kësaj radhe, pasi që rreth qendrave të votimit do të ketë prani më të madhe të policisë së Kosovës, të cilat do të monitorohen nga afër edhe nga policia e EULEX-it.

Irina Gudeljeviq
Irina Gudeljeviq
“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i që të jenë vigjilent dhe të veprojnë në mënyrë të paanshme, me maturi dhe vendosmëri. Nëse procesi zgjedhor ose siguria e votuesve, e stafit dhe e vëzhguesve në vendvotime, rrezikohet që të shkatërrohet, atëherë Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, janë të përgatitur për të ndërhyrë menjëherë”, ka theksuar Gudeleviq.

Në një deklaratë të përbashkët të organeve të sigurisë, thuhet se forcat e KFOR-it do të jenë të pranishme në afërsi të vendvotimeve dhe në hapësirat e tjera me qëllim që të sigurohet ambient i qetë dhe i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Zgjedhjet në veri, sipas marrëveshjes së Brukselit, organizohen nga OSBE-ja. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, kanë vlerësuar tashmë pozitivisht zgjedhjet e 3 nëntorit, përveç 3 qendrave të votimit në Mitrovicë, të cilat po shkojnë në rivotim.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja Amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson, ka shprehur besimin e saj se incidenti i 3 nëntorit do të zbardhet dhe drejtësia do të vihet në vend.

“Besoj se të dielën do të kemi një prani më rigoroze dhe më të dukshme të strukturave të sigurisë, qoftë të Policisë së Kosovës apo të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë”, ishte shprehur Jacobson.
XS
SM
MD
LG