Ndërlidhjet

Maqedoni: Me ligj sanksionohen të drejtat e punëtorëve


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Punëtorët mbeten tërësisht nën mëshirën e punëdhënësit, theksojnë sindikalistët duke komentuar ligjin e ri për marrëdhënie pune i cili mori dritë jeshile gjatë kësaj jave nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Përderisa partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kanë theksuar se përmes ligjit në fjalë synohet avancimi të drejtave të punëtorëve duke garantuar dhe pagën minimale, Artan Sadiku nga iniciativa qytetare Lëvizja Majtiste Solidarnost, vlerëson se këto ndryshime janë kryekëput në funksion të punëdhënësve.

“Vazhdimi konstant i një niveli shumë të lartë të papunësisë i cili tanimë që nga viti 1994 është mbi 30 për qind u bën presion të punësuarve që të pranojnë nivele sa më të ulëta të të drejtave të punës, sepse ata janë të kërcënuar me armatën e madhe të të papunësuarve dhe vendi i tyre në punë mund të zëvendësohet nga kjo armatë e cila është në pritje të çfarëdo lloj pune".

"Ky kërcënim i sistemit të dyfishtë ka funksionuar në mënyrë shumë të mirë në funksion të ngushtimit të hapësirës legjislative po edhe në zbatimin e ligjeve ekzistuese të cilat paraqesin mekanizma shumë të dobët për mbrojtjen e punëtoreve”, thotë Sadiku.

Nga na tjetër ish kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Dragi Jovanovski, thotë se me vetë faktin se në bazë të ligjit në fjalë i jepet e drejtë punëdhënësit një vit pas kundërvajtjes së bërë ta largojë punëtorin për prishje të rendit dhe disiplinë dërgon një sinjal të qartë se punëtorët duhet të jenë të dëgjueshëm.

Ne kemi raste konkrete në përditshmërinë tonë ku punëdhënësit në formën më të vrazhdë abuzojnë me të drejtat e punëtorëve dhe nga ana tjetër shteti nuk ndërmerr asnjë masë. Dhe tani me ligjin më të ri për marrëdhënie pune pikërisht punëdhënësit do të kenë një instrument të fuqishëm për të ndëshkuar punëtorët sa herë që ata do të dëshirojnë duke i kërcënuar me largimin nga puna”, thekson Jovanovski.

Por, me këto qëndrime nuk pajtohet dikasteri i punës dhe politikës sociale, i cili dhe ka hartuar ligjin në fjalë.

Zyrtarët në pushtet kanë nënvizuar se ndryshimi ligjor i përket atyre punëtorëve të cilët nuk i respektojnë rendin dhe disiplinën në punë dhe se ekzistojnë mekanizma për mbrojtjen e punëtorëve.

Kjo është demagogji, thotë Artan Sadiku nga Lëvizja Majtiste Solidarnost, sepse siç thekson ai, Maqedonia radhitet në vendet me fuqinë më të ulët punëtore në tërë rajonin po edhe më gjerë pikërisht nga fakti se punëdhënësit kanë shumë mekanizma në disponim për t`i eksploatuar punëtorët.

“Me zvogëlimin e të drejtave të punëtorëve konform ligjeve njëkohësisht ritet mundësia për eksploatimin e tyre nga punëdhënësit, të cilët gjithsesi se nuk do të jenë të interesuar për hapjen e vendeve të reja të punës me rritjen e prodhimit por vetëm për rritjen e shkallës së profitit”, thekson Sadiku.

Ndryshe, Maqedonia ka marrë kritika të ashpra edhe nga Brukseli për numrin e lartë të punësuarve në administratën shtetërore duke sugjeruar se që të stimulohet tregu i punës pikërisht në sektorin privat.
XS
SM
MD
LG