Ndërlidhjet

Maqedonasit s`u besojnë nismave qytetare


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Qytetarët e Maqedonisë janë skeptikë se diçka mund të ndryshohet përmes përfshirjes së tyre në nismat qytetare, thotë Neda Korunovka, drejtuese e organizatës joqeveritare “Reaktor”, duke prezantuar rezultatet e hulumtimit të organizatës për përfshirjen e sektorit civil në projektet e komunave për rritjen e cilësisë së jetesës.

Korunovska thotë se qytetarët e Maqedonisë, thjesht, kanë humbur besimin ndaj institucioneve shtetërore dhe gjithçka që është e lidhur me ta, nuk besojnë se do të rezultojë me ndonjë efekt pozitiv, duke kontribuar për një jetë më të mirë.

“Qytetarët janë shprehur shumë pesimistë, duke nënvizuar se çfarëdo që të bëjnë, kjo nuk do të sjellë ndonjë rezultat pozitiv në përmirësimin e cilësisë së jetesës, gjegjësisht se do të ndikojë në çfarëdo mënyre në vendimmarrjen e organeve përgjegjëse, përfshirë edhe qëndrimet e tyre”, bën të ditur Korunovska.

Si faktor kyç në humbjen e besimit te forca e sektorit civil, Korunovska përmend infiltrimin e politikës në veprimin e institucioneve.

Albert Musliu, drejtues i Iniciativës për Zhvillime Demokratike “ADI”, thotë se mospërfshirja e qytetarëve në sektorin civil, ka të bëjë me konceptin politik të instaluar kohën e fundit në Maqedoni.

“Fillimisht, është mosbesimi i qytetarëve te sistemi politik, do të thotë tek ajo transparenca e politikë-bërësve dhe institucioneve në përgjithësi, kur bëhet fjalë për vërejtje, këshilla madje edhe për reagime të ndryshme nga ana e qytetarëve, që nënkupton dhe sektorin civil”, vlerëson Musliu.

Nga ana tjetër, Shpresa Sinani, aktiviste për të drejtat e grave, konsideron se duhet punuar më shumë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve.

“Me angazhimin e të gjithë neve, secili në profilin e vet, po qe se angazhohet, jep kontribut, sigurisht se ne do të mund të arrijmë diçka, gjegjësisht të ndryshojmë qytetin për të mirë, të ndryshojmë shumë gjëra që drejtpërdrejt prekin interesin tonë si qytetar. Tash i kemi mundësitë, por vetëm mbetet t`i shfrytëzojmë këto mundësi”, shprehet Sinani, duke theksuar se është shumë i vështirë zgjerimi i aktiviteteve, veçanërisht në zonat rurale.

Rreth 40 për qind e të rinjve janë shprehur se të ardhmen e tyre, pas pesë ose gjashtë vjetësh, nuk e shohin në Maqedoni, andaj dhe nuk duan të përfshihen në aktivitetet e organizatave joqeveritare, shpjegon Neda Korunovska, duke nxjerrë në pah një nga arsyet se pse qytetarët nuk përfshihen në nismat e ndryshme qytetare.

“Këta të rinj, të cilët duhet të paraqesin dhe motorin kryesor për zhvillime në shoqëri, është paradoksale se pikërisht ata nuk e shohin të ardhmen e tyre në këtë vend dhe nisur nga ky fakt, është e kuptueshme se pse ata janë të pafuqishëm në realizimin e çfarëdo iniciative qytetare, qoftë edhe për ato çështje që prekin interesat e tyre”, potencon Korunovska.

Ndërkohë, Albert Musliu thekson se të rinjtë e kanë kuptuar se realizimi i synimeve të tyre, mund të arrihet vetëm nëse inkuadrohesh si aktivist në partitë politike dhe jo në sektorin civil.

“Të rinjtë e kanë parë se, nëse do të zhvillosh karrierë, mënyra më e lehtë, po edhe më e sigurt dhe më e shpejtë të realizohen këto synime, është nëse inkuadrohesh në subjektet politike. Me këtë rast do të theksoja dhe qasjen e institucioneve ndaj organizatave qytetare. Të kujtojmë, kishim disa protesta të të rinjve, ose ekologëve, shoqatave profesionale, siç ishte ajo e fermerëve, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë, u sulmuan nga institucionet”, sqaron Musliu.

Përfaqësuesit e sektorit civil konsiderojnë se krahasuar me një dekadë më parë, angazhimi i aktivistëve në sektorin civil, ishte për disa fish më i madh sesa tash. Kjo, sipas tyre, flet qartë për nivelin e ulët zhvillimit të demokracisë, përkatësisht regresin që shënon vendi në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG