Ndërlidhjet

Guardian: Sunitët kundër shiitëve: absurditet strategjik


Lindja e Mesme është buzë luftës të cilën asnjëra palë nuk mund ta fitojë, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Guardian, duke vlerësuar se konflikti në rajon ndërmjet sunitëve dhe shiitëve, nga Libani e deri në Irak, është absurditet strategjik, që numrin e të vdekurve e bënë edhe më tragjik.

Nëse diçka mund të thuhet me siguri, për ata që vdiqën nga eksplodimet aktuale në Bejrut, gjatë luftimeve të javës së fundit në Falluxha dhe Ramadi, ose gjatë sulmeve ajrore me bomba në qytetin Alepo, është se vdekja e tyre nuk u shërben qëllimeve racionale, shkruan e përditshmja Guardian.

Mendja e njerëzve në terren, që janë për së afërti të involvuar në këtë masakër, është e ngatërruar nga frika, paragjykimi, pasioni dhe dëshira për hakmarrje. Por, çka është me ata që janë përgjegjës për këtë gjakderdhje nga kryeqytetet rivale?

Kjo nuk është referencë për Uashingtonin, megjithëqë Amerika e bartë një pjesë të madhe të përgjegjësisë për nxitjen e rivalitetit sunito-shiit, me invadimin e Irakut, dhe vazhdon të përpiqet të ndikoj në mospajtime, ajo nuk është drejtuese e saj, shkruan Guardian.

Kjo përgjegjësi i takon Iranit dhe Arabisë Saudite, që kanë prirje për plane jorealiste për dominim në rajon, ose së paku, në kontestimin e dominimit të palës tjetër.

Nga ana e vet, Irani duhet ta dijë, ose do të duhej ta dinte, se bota arabe sunite nuk mund të transformohet në një seri satrapësh që i nënshtrohen Teheranit, shkruan e përditshmja Guardian.

Kjo reflekton në faqe të historisë, demografisë dhe lojaliteteve etnike. Nuk ka rëndësi që, për momentin, Iraku këndon sipas melodisë së Iranit. Nuk ka rëndësi që regjimi i Assadit, aktualisht, ka shpëtuar nga ndihma iraniane dhe mbështetja ushtarake e Hezbollahut. Nuk ka rëndësi që Hezbollahu vazhdon si lojtari i fuqishëm dhe i dhunshëm në politikën libaneze.

Tash ose më vonë, Iraku do ta kuptoj se interesat e tij dallojnë nga ato të Iranit, pavarësisht nga faktori shiit.

Tash ose më vonë, Siria do të shndërrohet në shtet të udhëhequr nga shumica sunite, pasi është vështirë të imagjinohet se brenda 10 viteve, atje ende do të jetë një qeveri e pakicës alavite, shkruan e përditshmja Guardian.

Në Liban, ndikimi i Hezbollahut në qeveri do të zvogëlohet kur Siria të ndryshoj, e ndoshta edhe më herët.

Llogaritja e gabuar strategjike e Riadit është pasqyrë e asaj në Teheran. Si një shtet i vogël në çdo gjë, përpos në territorin ranor dhe naftë, dhe larg nga qendrat kryesore të popullatës sunite, si mund të jetë aq jomodest, sa të imagjinoj se do t’i besohet, brenda ndonjë kohëzgjatjeje, fati i tokës sunite?

Si do ta evitoj fuqizimin e ekstremistëve sunitë, që janë armiqësor ndaj shtetit saudit? Dhe se e imagjinon që Teheranin do ta sjellë në një nivel më të ulët?

Irani, me kohë, do të mësoj për kufizimet natyrore të ndikimit të vet ndaj botës arabe. Por, është një gjigant në krahasim me Arabinë Saudite, e cila ka popullatë dy herë më të vogël, pak tokë bujqësore, bile edhe më pak ujë, dhe të vetmin avantazh e ka sasinë më të madhe të naftës.

Me siguri në këto dy kryeqytete ka disa njerëz me pjekuri të mjaftueshme për ta kuptuar se atë që po e bëjnë është e pakuptueshme, shkruan në fund të editorialit e përditshmja londineze, Guardian.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG