Ndërlidhjet

Kosova nuk ka nevojë për OBT(?)


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet kompetente kanë bërë të gjithë përgatitjet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, (OBT), por deri më tani nuk është aplikuar, thonë zyrtarë qeveritarë.

Blerim Ahmeti, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se janë të gatshëm për aplikim, por anëtarësimi në këtë organizatë, është vullnetar dhe jo i obligueshëm. Në fazën aktuale të zhvillimit ekonomik, sipas tij, nuk është i leverdishëm anëtarësimi në OBT.

Sipas Ahmetit, duke marrë parasysh fuqinë prodhuese të Kosovës, ky anëtarësim nuk është urgjent, por në të ardhmen edhe Republika e Kosovës duhet të bëhet pjesë e OBT-së

“Ne nuk kemi asnjë nevojë të ngutemi në këtë proces, për arsye se nuk është e obligueshme të jesh anëtar i OBT-së. Në njëfarë mënyre, edhe në fazën që jemi duke kaluar, kur një pjesë e madhe e buxhetit të Kosovës mblidhet në kufi, Kosovës nuk i konvenon që të zvogëlohen të hyrat”.

“Kjo sepse kur e lidh marrëveshjen me OBT-në dhe bëhesh anëtar i përhershëm, atëherë duhet të hyhet në marrëveshje bilaterale me të gjitha vendet anëtare dhe në një mënyrë ndikon që edhe tregtia me vendet tjera të moderohet”, thotë Ahmeti.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se autoritetet kompetente nuk duhet të nguten që të aplikojnë në këtë organizatë.

Gazmend Qorraj, profesor në Fakultetin Ekonomik, i cili ka specializuar për integrimet evropiane, thotë se Kosova nuk duhet të rrezikojë të krijojë marrëveshje të reja, ose të hyjë në organizata botërore, të cilat kërkojnë ekspertiza, mbështetje politike dhe çështje tjera.

Ai konsideron se ky proces nuk është i domosdoshëm dhe kjo mund të paraqesë rrezik.

“Kosova edhe ashtu është duke u ballafaquar me negociata politike, me negociata për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit dhe duke i njohur mirë ato procese, konsideroj se për momentin, Kosova nuk ka kapacitete institucionale. Dhe, duke ditur se çfarë sfidash do të ketë në ato negociata, konsideroj se për momentin do të jetë gati i pamundur anëtarësimi i Kosovës në OBT”, thekson Qorraj për Radion Evropa e Lirë.

Kosova praktikisht nuk është e gatshme të jetë pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë, edhe nëse plotësohen të gjitha procedurat legale, thotë drejtori ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, Agron Demi, duke shtuar se Kosova ende ka një deficit të lartë tregtar.

“Anëtarësimi në OBT, vetëm sa do ta rëndojë gjendjen nëse situata brenda nuk përmirësohet, për shkak se OBT nënkupton se të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate do të eksportojnë lirshëm, pa barriera doganore në Kosovë, e Kosova në këtë afat zhvillimi ka nevojë për barriera doganore. Prandaj, është mirë që Kosova formalisht edhe për një kohë mos të kandidojë zyrtarisht për anëtarësim në OBT”, vlerëson Demi.

Sidoqoftë, në fund të vitit të kaluar, përfaqësuesit e 159 vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) kanë arritur pajtueshmëri për marrëveshjen, me të cilën synohet nxitja e tregtisë globale.

Në marrëveshje përfshihen edhe përkushtimet e vendeve anëtare për lehtësimin e tregtisë duke i thjeshtësuar procedurat doganore.
XS
SM
MD
LG