Ndërlidhjet

Hapja e negociatave - ditë historike për Serbinë


Pullat postare në Serbi
Pullat postare në Serbi
Në një konferencë ndërqeveritare, të martën në Bruksel në selinë e BE-së, Serbia ka hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, duke e quajtur këtë si ditën më të rëndësishme në historinë e Serbisë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ka shprehur bindjen e tij që në një afat prej 4 vjetësh, pra deri më 2018, Serbia do të jetë gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndërkaq në BE do të hyjë para vitit 2020.

Konferenca e së martës për shtyp pas këtij takimi, ishte një rast për të shprehur urimet për Serbinë nga ana e BE-së, ndërkohë që ministri i Jashtëm i Greqisë, Venicellos, i cili është edhe kryesuesi i radhës i BE-së, tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme për Serbinë, për BE-në, por edhe për tërë rajonin.

“Ne kemi hapur negociatat me Serbinë për pranimin në Bashkimin Evropian në konferencën e parë ndërqeveritare në nivel ministrash. Është kënaqësi e madhe për të gjitha shtetet anëtare, sidomos për presidencën greke fillimi i kësaj procedure. Kjo është ditë historike për Serbinë, është hapja e një kapitulli të ri për popullin serb”, ka thënë Venicellos.

Edhe komisionari për Zgjerim, Shtefan Fyle, duke folur fillimisht në gjuhën serbe, tha se i uron Serbisë këtë datë, dhe shprehu edhe ai bindjen e tij se ky është një hap shumë i rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së.

Fyle, duke përmendur reformat e nevojshme që duhet t’i bëjë Serbia në procesin e negociatave të anëtarësimit, ka rikujtuar edhe kushtin për normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Beogradi duhet të mbetet plotësisht i angazhuar në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe të vazhdojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, ka theksuar komisionari Fyle.

Në kornizën negociuese të BE-së që është edhe dokument bazë për udhëheqjen e procesit të negociatave deri tek anëtarësimi, thuhet se Serbia me Kosovën duhet të arrijë një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve në formën e një marrëveshjeje obliguese ligjore deri kah fundi i negociatave të anëtarësimit.

I pyetur se si e kupton Serbia këtë formulim, a e kupton si kërkesë për ta njohur Kosovën, dhe në rast se po, a do ta bënte një gjë të tillë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se këtë e kuptojmë si edhe vetë BE-ja, pra nuk e kuptojmë deri në fund, dhe nuk e kupton deri në fund as vetë Bashkimi Evropian, sepse edhe mes vendeve të BE-së ka dallime rreth statusit të Kosovës.

Kryeministri i Serbisë ka thënë se as në dialogun që ai është duke e zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe as me kontaktet e Bashkimit Evropian, deri më tash, sipas tij, nuk është kërkuar asnjëherë nga Serbia që të ndryshojë qëndrimin rreth statusit të Kosovës.

Duke thënë se Serbia do të mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me Prishtinën dhe normalizimit të raporteve, Daçiq ka paralajmëruar se në takimin e radhës në Bruksel, javën që vjen, do të diskutohet edhe për Gjykatat në veri, për pronat dhe çështje tjera dhe ka paralajmëruar se do të duhet të diskutohet edhe për zgjedhjet parlamentare dhe kushtet nën të cilat do të merrnin pjesë edhe serbët e Kosovës në ato zgjedhje.

Hapjen e së martës të negociatave të zgjerimit me Serbinë, zyrtarët e BE-së e kanë konsideruar edhe një dëshmi se edhe BE-ja, pavarësisht problemeve që ka, mbetet e përkushtuar për procesin e zgjerimit të BE-së.

Komisionari për Zgjerim, Shtefan Fyle, i cili ka qenë i impresionuar me rezultatet e Serbisë, ka thënë se kjo nuk është dhuratë për Serbinë, por njohje për progresin që ka arritur Serbia.

Ai ka thënë se Serbia duhet të shërbejë si inspirim për vendet e tjera të rajonit dhe Ballkanit.
XS
SM
MD
LG