Ndërlidhjet

Maqedoni: Ekspozimi i pakontrolluar i fëmijëve në internet


Ilustrim
Ilustrim
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme konsiderohen si përdoruesit më të mëdhenj të internetit në Maqedoni të cilët njëherësh janë dhe më të ekspozuarit ndaj krimit kibernetik edhe kundrejt faktit se tanimë një vit të plotë Agjencia për Komunikim Elektronik është duke promovuar programin për mbrojtjen e fëmijëve nga internet.

Përmes këtij programi, prindërve u mundësohet të kontrollojnë kohën, njëherësh edhe aktivitet e fëmijëve të tyre gjatë përdorimi të internetit edhe kur ata nuk janë në shtëpi.

Sociologu Ibish Kadriu nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, thotë se nevojiten masa urgjente nga ana e institucioneve përkatëse të cilat do të kontribuojnë në reduktimin e përdorimit të internetit, veçanërisht te nxënësit e shkollave fillore.

Sipas tij, problem në vete paraqet dhe fakti se fëmijët kanë më shumë njohuri se prindërit e tyre kur bëhet fjalë për përdorimin e internetit.

“Me trendet e zhvillimit të shoqërisë në kohën e fundit, te mjetet e komunikimit masiv, teknologjia masive ka depërtuar në të gjitha sferat e jetës, siç është përdorimi gjithnjë e më i madh i kompjuterëve, internetit përmes telefonave celularë, gjë që e bën të pamundur që familja të ketë kontroll absolut ndaj fëmijëve".

"Në bazë të disa hulumtimeve shkencore që kemi bërë në kuadër të USHT-së, duke pasur në fokus prindërit dhe nxënësit shihet se mungon kontrolli nga ana e prindërve, mungon kontrolli nga ana e arsimtarëve dhe veçanërsiht ka keqpërdorim të informacioneve të cilat ofrohen në internet në moshën e mitur”, shprehet Kadriu.

Edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se është në rritje numri i padive sa i përket keqpërdorimit të të dhënave personale veçanërisht në rrjetet sociale.

"Po është në rritje shkelja e ligjit që vlen për rrjetet sociale që kryesisht kanë të bëjnë me shkeljen e privatësisë në rrjetin social Facebook dhe rrjetet tjera, veçanërisht te të rinjtë dhe miturit”, shprehet drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të të Dhënave Personale Dimitar Gjeorgjievski.

Ai shton se në sistemin arsimor të Maqedonisë nuk ekziston asnjë njësi mësimore ku mbrojtja e të dhënave personale është përmendur ose i kushtohet rëndësi e veçantë.

Ndërkohë, prindërit thonë se gjatë garës së informacioneve, fëmijët jo rrallë herë ballafaqohen edhe me informacione që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre.

“Po djali im është në shkollë fillore dhe arsimtarët jo rrallë herë e urdhërojnë që për më shumë informata rreth mësimeve në lëndë të ndryshme të konsultohen me internetin. Kuptohet se qëndrimi disa orësh në internet të ofron edhe gjëra të cilat janë në dëm të zhvillimit të mirëfilltë të fëmijëve”, shprehet Agim Saliu prind.

Ndërkohë, sipas një hulumtimi të bërë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, departamenti i sociologjisë, del në pah se përdorimi i pakontrolluar i internetit ndikon dhe në manifestimin e sjelljeve agresive te fëmijët.

“Ka manifestime të ndryshme të agresivitetit nga format më të ndryshme te të miturit. Dhe jo rastësisht viteve të fundit kemi një numër të madh të fëmijëve të cilët reflektojnë me sjellje devijante. Pra është e pranishme delikunca te të rinjtë që mund të përfundojë dhe me elementin më tragjik, vetëvrasjen”, thekson sociologu Ibish Kadriu.
XS
SM
MD
LG