Ndërlidhjet

Krasniqi jep dorëheqje nëse i kërkon PDK-ja


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk do të ofrojë dorëheqje nga posti që mban përderisa të mos ketë një kërkesë nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilës i përkiste deri vonë.

Ai ka arsyetuar këtë veprim me faktin se me dorëheqje do të mund të shtynte vendin në krizë institucionale.

Krasniqi, tanimë edhe zyrtarisht i takon një subjekti tjetër politik me emrin Nisma për Kosovën që drejtohet nga Fatmir Limaj, po ashtu ish zyrtar i lartë i PDK-së.

“Nuk dorëhiqem pa bërë kërkesën Partia Demokratike e Kosovës për faktin se nuk dëshirojmë të krijojmë krizë institucionale në Republikën e Kosovës. Përndryshe, sapo ta zyrtarizoi PDK kërkesën për dorëheqje, jam i gatshëm në çdo moment të largohem”, ka thënë Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në bazë të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës zgjidhet nga partia më e madhe në Kuvend.

Mirëpo, me Krasniqin është krijuar një rast që nuk parashihet as me Kushtetutë, pasi që ai tani nuk i takon as partisë më të madhe, e madje as nuk i përket një partie parlamentare, ngaqë Nisma për Kosovën është një subjekt i ri politik.

Pavarësisht këtij fakti, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se nuk sheh arsye pse në këtë fazë, duhet t’i kërkohet dorëheqja Krasniqit.

“Ai është kryetar i Kuvendit dhe ne nuk e shohim të nevojshme që të bëjmë lëvizje. Partia Demokratike e Kosovës nuk është e angazhuar të luftojë për pushtet por jemi të angazhuar të punojmë për shtet”, ka thënë Grabovci.

Kosova ndodhet tashmë në vitin kalendarik të zgjedhjeve parlamentare.

Qeveria aktuale, sipas të gjitha përllogaritjeve nuk e ka shumicën në Kuvend, por as opozita nuk është e konsoliduar që të kërkoj mocion mosbesimi dhe të çojë vendin në zgjedhje.

Andaj, opsioni për zgjedhjet mbetet ende ai që kanë projektuar liderët e PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, që menjëherë pas miratimit të plotësim ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, të nisin procedurat për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e zgjedhjeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka përsëritur se mesi i këtij viti preferohet nga LDK-ja për organizimin e zgjedhjeve parlamentare.

“Ne mendojmë që më së miri është që të shkojmë në zgjedhje gjatë muajit qershor”, ka thënë Beqiri.

Para se Kosova të shkojë në zgjedhje, komuniteti ndërkombëtar pret nga Kuvendi i Kosovës të deklarohet dhe miratojë vazhdimin e mandatit të transformuar ët EULEX-it.

Ndërkaq ka mbetur ende pezull nëse komuniteti ndërkombëtar do të themelojë edhe një Tribunal për krimet e luftës i cili po ashtu do të duhej të merrte miratimin e Kuvendit.

Në të kundërtën, të dyja vendimet bashkësia ndërkombëtare do të mund t’i merrte përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 12 44.
XS
SM
MD
LG