Ndërlidhjet

Preferojnë qershorin për zgjedhjet


Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi
Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi
Qershori i këtij viti, për pjesën më të madhe të spektrit politik në Kosovë shihet si muaji i zgjedhjeve të parakohshme.

Po atë kohë, Bashkimi Evropian pret që institucionet e Kosovës të deklarohen në lidhje me vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Kurse është paralajmëruar se mund të themelohet edhe një Tribunal Ndërkombëtar për krimet, për të cilin po ashtu do të kërkohej miratimi i institucioneve të Kosovës.

Duke harmonizuar agjendat ndërkombëtare dhe ato vendore, dy subjektet më të mëdha politike, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po tregohen të vendosura që të mos përkrahin nisma për zgjedhje të shpejta, duke preferuar muajin qershor.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka përsëritur të martën se afati më i mirë kohor për organizimin e zgjedhjeve mbetet muaji qershor.

“Do të punojmë që zgjedhjet të jenë mirë të organizuara, të jenë të vëzhguara nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendorë, në mënyrë që të rezultojnë legjitime”, ka thënë Mustafa.

Përderisa shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri thotë se ka edhe pavarësisht që qeveria aktuale, sipas tij, është më e keqja që ka pasur Kosovë, megjithatë organizimi i zgjedhjeve duhet të bëhet pasi të përfundojnë disa çështje tashmë në procedurë e sipër.

Është qeveria më e keqe që kemi pasur ndonjë herë. Këtu nuk ka asnjë dilemë. Por ne kërkojmë që zgjedhjet të kenë rregullshmëri, të mbahen gjatë muajit qershor, të kryhen disa punë që kanë mbet pa u kryer dhe absolutisht të jenë fer, demokratike dhe të përgatitura mirë”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të proklamojë idenë e vetë për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve brenda 45 ditësh.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka numëruar disa nga arsyet, që sipas tij, e bëjnë opsionin e AAK-së për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë më të mirë sesa atë të pjesës tjetër të spektrit politik që po preferon zgjedhjet pas 3 muajve.

“Kjo qeverisje e ka humbur edhe zyrtarisht shumicën në Kuvendin. Në anën tjetër reforma e shumëpërfolur për zgjedhje, në të cilën tash LDK-ja po insiston është një proces që ka dështuar qe tri vjet dhe si i tillë nuk garanton ndonjë ndryshim që mund të quhet reformë. Të njëjtën kohë, po flasim edhe për procese e sfida tjera që janë përpara Kosovës, por për të cilat duhet të kenë legjitimitet të plotë si qeveria ashtu edhe parlamenti”, ka deklaruar Ramadani.

Duke u ndërlidhur me dy opsionet aktuale për organizimin e zgjedhjeve, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nuk sheh ndonjë nguti dhe se vendi ka nevojë të përgatitet para se të hyjë në procesin zgjedhor.

Ai i sheh të arsyeshme pretendimet e disa subjekteve politike që për mbarëvajtjen e procesit do të nevojitet edhe një kohë përgatitore.

“Nuk shoh asnjë arsye që tani të provojmë ta rrëzojmë qeverinë dhe të shkojmë në zgjedhje për 45 ditë, sepse nuk është shumë e rëndësishme a shkojmë në zgjedhje në fund të prillit apo në fund të majit. Meqenëse kemi ardhur në këso situate do të duhet një konsensus mes forcave politike për ta përcaktuar datën e zgjedhjeve dhe për t’i përcaktuar veprimet deri në shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve”, ka thënë Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë kësaj jave, pritet që Komisioni për Legjislacion të përfundoj draftin e propozuar për plotësim-ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Ky Ligj më pas do të miratohej nga Kuvendi i Kosovës dhe mbi bazën e tij do të organizohej procesi i ardhshëm zgjedhor.
XS
SM
MD
LG