Ndërlidhjet

Odat ekonomike (s’)mbrojnë bizneset?


Prodhues vendor
Prodhues vendor
Në Kosovë janë themeluar shumë subjekte ekonomike që thuhet se janë në shërbim të ekonomisë së vendit. Por, sa kontribuojnë këto subjekte në zhvillimin ekonomik të ndërmarrjeve private? A janë zëri i tyre në institucionet vendore, por edhe në raportet ndërkombëtare?

Përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë për çështje ekonomike, japin mendime të ndryshme lidhur me rolin e këtyre organizatave karshi sektorit privat.

Në Kosovë funksionon Oda Ekonomike e Kosovës, ajo Amerikane, Oda Gjermane, Oda Tregtare Turke dhe Aleanca Kosovare e Biznesit.

Pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi, shprehet i kënaqur me mbështetjen e subjekteve ekonomike, por që, sipas tij, ka hapësirë më tepër për të vepruar.

Kompania “Frutex” është e anëtarësuar në disa oda ekonomike.

“Subjektet ekonomike i adresojnë problemet, me të cilat ballafaqohen kompanitë kosovare, jemi të kënaqur, jo në masë të duhur, por përpjekjet e tyre nuk mungojnë që vështirësitë e prodhuesve kosovarë t’i dërgojnë në adresë të autoriteteve kompetente”, thotë Palushi.

Por, Barlet Namoni, pronar i kompanisë private “ASK Foods”, në Gjilan, konsideron se jo në të gjitha rastet odat ekonomike kontribuojnë në zhvillimin dhe profesionalizimin e ndërmarrjeve private.

“Asociacionet ekonomike bisedojnë për gjithçka, por veprimi në terren nuk është efektiv fare”, konsideron Namoni.

Në odat ekonomike mund të anëtarësohen edhe organizatat tjera të subjekteve ekonomike, të cilat më pas mund të organizojnë shoqata specifike sipas degëve dhe nëndegëve.

Pas anëtarësimit, odat ekonomike luajnë rolin e përfaqësuesit, mbrojnë interesat e komunitetit të biznesit dhe ofrojnë shërbime publike dhe profesionale.

Ndërkaq, nga anëtarësimi në odat ekonomike të shteteve huaja që kanë zyrat në Prishtinë, përfitojnë lidhje biznesi me biznese të tjera.

Anëtarësimi i bizneseve është vullnetar, por duhet paguar një shumë të caktuar të mjeteve financiare.

Në anën tjetër, Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara “ GAP” thotë se në raste të caktuara, asociacionet ekonomike anashkalojnë misionin e tyre duke mbrojtur vetëm bizneset që konsiderohen më të mëdha, të cilat kontraktojnë punë me organet publike.

“Ajo çka është shqetësuese, këto oda më shumë merren me mbrojtjen e interesave të bizneseve të mëdha dhe anëtarësisë së tyre dhe shpeshherë edhe në dëm të procedurave të prokurimit ose procedurave të drejta të dhënies së kontratave”.

“Jo gjithherë odat ekonomike veprojnë sipas parimeve të drejta, por sipas parimeve të bizneseve të anëtarësisë. Ato edhe janë që t’i mbrojnë këto drejta, por nuk duhet ta bënin këtë edhe në raste kur dëmtohet buxheti i shtetit të Kosovës dhe kjo ka ndodhur në shumicën e rasteve”
, vlerëson Demi.

Odat ekonomike janë institucione në shërbim të ekonomisë kosovare, burim i besueshëm i informatave për ndërmarrjet kosovare, si dhe për ndërlidhjen me partnerë ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG