Ndërlidhjet

Maqedoni: Mungesë të ofertave serioze për elektoratin


Aksionet spektakulare policore të përcjella me arrestime të bandave të ndryshme kriminale janë bërë thuajse përditshmëri në Maqedoni, në veçanti tani në periudhën e fushatës parazgjedhore.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se të gjitha aksionet janë të koordinuara me organet gjyqësore dhe të planifikuara një kohë të gjatë për sigurimin e sa më shumë provave për personat e privuara nga liria për vepra të ndryshme penale.

Aksionet e fundit janë zhvilluar kryesisht në zonat e banuara me shqiptar ku janë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për shumë vepra kriminale.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se nuk do të kishte asgjë të keqe, e madje do të ishin për t'u lavdëruar nëse aksione të tilla zhvillohet gjatë gjithë vitit, e jo vetëm në periudha të fushatave zgjedhore.

Arsim Sinani, analist dhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se aksione të tilla zhvillohen çdo herë kur ka tensione mes partnerëve qeveritar dhe qëllimi i tyre është frikësimi i votuesve.

“Mendoj se këto aksione nuk janë korrekte pasi nuk kanë një dinamik. Sa herë që prishen raportet mes partnerëve të koalicionit ne do të shohim aksione policore, posaçërisht në vendbanimet shqiptare. Ky është një mesazh i cili tenton të krijon një lloj panike, por unë mendoj se ky mesazh nuk e frikëson votuesin, pasi ai e dinë se kur dhe kujt do t'ia jap votën e vet dhe ato janë zgjedhjet“, thotë Sinani.

Nga ana tjetër, Kire Vasilev, studiues i çështjeve evropiane dhe aktivisti i lëvizjes “Solidariteti“, thotë se veprime të cila nuk ndodhin në asnjë vend të Evropës, ku synon të integrohet Maqedonia.

Sipas tij, aksionet e pareshtura të policisë në fushatë parazgjedhore vetvetiu të krijojnë përshtypjen e prapavijave të ndryshme duke mos përjashtuar edhe largimin e vëmendjes nga problemet reale.

Programi i tyre veçmas është harxhuar dhe ato tani përpiqen që tema kryesore e debateve në opinion të jenë aksionet e ndryshme policore që zhvillohen, si arrestimet e ndryshme që bëhen për afera të ndryshme korruptive, rrahjet e kështu me radhë. Përveç kësaj, ato tentojnë që në këtë formë të mbyllin edhe të gjitha kanalet prej nga mund të rrjedhin informacionet për skandalet e tyre korruptive që mbështeten në rrjete të ndryshme mafioze“, thotë Vasilev.

Përveç Ministrisë së Brendshme, edhe partitë politike me veprimet e tyre të fundit po luajnë rolin e policit, thotë ndërkohë analisti Arsimi Sinani duke komentuar publikimin e aferave të ndryshme nga ana e tyre si dhe ngritjen e padive të ndryshme ndaj njëri tjetrit.

Ai thotë se kjo është edhe një dëshmi mbi mungesën e ofertave të tyre para elektoratit.

“Partitë do të duhet që në këto zgjedhje të paraqesin synimet e tyre se çfarë duan në katërvjeçarin e ardhshëm. Në mungesë të kësaj, në mungesë të edukatës politike, në mungesë të ofertës për votuesin, ne merremi me përgojime deri në çështjet e moralit që mendoj se është e pandershme. Kjo do të duhej të ishte një lloj ndëshkimi për ata që merren me këto çështje. Por edhe në këtë mjegull mendoj se elektorati do të dij të vlerësoj se cila është e drejtë e cila jo“, thotë Sinani

Ai dhe Vasilev presin që edhe në periudhën deri më 27 prill kur mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare të ketë aksione të tilla policore por edhe ashpërsim të akuzave mes partive politike, megjithatë tensionet e tilla siç shprehen ata, do të kthehen në normalitet pas përfundimit të zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re.
XS
SM
MD
LG