Ndërlidhjet

Maqedoni: Në prag të zgjedhjeve, merret borxh i ri


Qeveria e Mqedonisë
Qeveria e Mqedonisë
Vetëm tri javë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Qeveria e Maqedonisë nga tregu i brendshëm ka marrë hua 93.5 milionë euro, duke rritur kështu borxhin shtetërorë .

Ndërkohë që autoritetet zyrtare thonë se Maqedonia është shteti me borxh më të ulët në rajon, ekspertët e ekonomisë theksojnë se pas zgjedhjeve, qeveria e re duhet të kursejë, meqë deficiti buxhetor ka arritur atë shkallë që kërcënon stabilitetin ekonomik të vendit.

Nikolla Popovski, ish-ministër i financave thotë se kur flitet për atë se sa Maqedonia thellohet në borxhe, fokusi i kritikave nuk duhet të vendoset në lartësinë e vlerës së borxhit, por për çfarë arsyesh merren këto mjete si borxh.

“Po ku vjen koha e kthimit të borxheve, Qeveria në pamundësi që të kthejë borxhin, ajo detyrohet vetëm të paguajë kamata dhe sërish të marrë një linjë të re kreditore, pra kemi të bëjmë me një rreth magjik që është shumë i rrezikshëm për stabilitetin ekonomik të vendit”.

“Nga ky rreth magjik, vështirë se mund të dilet nëse Qeveria nuk vendos që të zvogëlojë deficitin që është në rritje dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse vendosen masa rigoroze për të kursyer”,
konsideron Popovski.

Ai shton se faktor kyç për rritjen e borxhit janë investimet jokapitale siç është investimi në përmendore dhe ndërtesa administrative dhe jo për infrastrukturë.

Popovski, gjithashtu, thekson faktin se një pjesë e konsiderueshme e thellimit të borxhit është në funksion të blerjes së votave në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, siç është rritja e pensioneve ose ndarja e subvencioneve për bujqit.

Por, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, konsideron se shteti vështirë se mund të heqë dorë nga marrja e kredive, meqë ka nevojë për të ashtuquajturat “para të freskëta” dhe në pamundësi që ato t`i sigurojë përmes investimeve të huaja, është e detyruar të kompensojë me marrjen e borxheve të reja.

“Si mund të presim që para të freskëta, të cilat nevojiten për qarkullim, të vijnë nga investimet e huaja? Si mund të priten investime pas mesazhit që jep Maqedonia, si shtet, ku çdo dy vjet organizohen zgjedhje. Kjo flet për mosstabilitet të institucioneve, mosstabilitet të Qeverisë, përkatësisht kjo flet për një krizë institucionale. Investitorët e huaj, të cilëve u nevojiten katër deri në pesë vjet që të marrin vendim për të derdhur kapitalin e tyre këtu, është e kuptueshme se hezitojnë të kenë punë me institucione dhe qeveri kaq jostabile”, vlerëson Ademi.

Sipas tij, në mungesë të investimeve nga jashtë dhe kushtet kur ekonomia e vendit nuk ka mundësi t’i përballojë shpenzimet e shtetit, është më se e qartë që zgjidhja të kërkohet në marrjen e huave.

Ndryshe, Maqedonia vitin e fundit, 2013, e ka mbyllur me shifrën e borxhit shtetëror prej 2.757 miliardë eurosh, gjegjësisht 34.3 për qind prej Bruto Prodhimit Vendor. Kjo shifër shënon kufirin më të lartë të borxhit të shtetit për Maqedoninë që nga viti 2005, kur borxhi i shtetit ishte 1.84 miliard euro.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në këto 5 vjetët e fundit, borxhi i shtetit është rritur dyfish, duke pasur parasysh atë se deri në fund të 2008-s, borxhi ka qenë 1.38 miliard euro.

Megjithëse autoritetet qeveritare kanë theksuar se nuk ka vend për shqetësim, sepse Maqedonia edhe më tej mbetet vendi me borxh më të ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit, në raport me Bruto Prodhimin Vendor të borxhit të përgjithshëm.
XS
SM
MD
LG