Ndërlidhjet

Irak: Nga dhuna në pjesën veriore – 16 të vrarë


Pamje pas një sulmi të mëhershëm në Iak
Pamje pas një sulmi të mëhershëm në Iak
Nga sulmet me bomba, që për cak i kishin forcat e sigurisë në pjesën veriore të Irakut, sot janë vrarë së paku 16 njerëz, kanë thënë autoritetet, derisa irakianët përgatiten për zgjedhjet madhore më vonë këtë muaj.

Raportohet se në sulmin më vdekjeprurës, një automobil i parkuar e i mbushur me eksploziv, ka shpërthyer derisa andej kalonte një patrullë e përbashkët ushtarake dhe policore, në pjesën tregtare të qytetit Mosul, me ç’rast u vranë pesë civilë dhe pesë pjesëtarë të forcave të sigurisë. Nga ky sulm janë plagosur 12 vetë.

Mosuli gjendet 360 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Bagdad.

Poashtu, sot më herët, nga një sulm vetëvrasës me makinë – bombë, ndaj një pike të kontrollit policor në qytetin verior Dibis, janë vrarë gjashtë vetë dhe plagosur 15 të tjerë, ka thënë policia lokale. Në mesin e të vrarëve kishte edhe civilë, raporton AP nga Bagdadi.

Qyteti Dibis ndodhet 290 kilometra në veri të Bagdadit.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara gjatë dhunës në vitin 2013, janë vrarë 8,868 njerëz, që është numri më i madh i vrasjeve në pesë vitet e fundit.

Më 30 të këtij muaji në Irak parashihet mbajtja e zgjedhjeve të para të përgjithshme, prej se nga ky vend janë larguar ushtarët e Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG