Ndërlidhjet

Financial Times: Merkel shkon në Uashington…


Angela Merkel
Angela Merkel
Kur Angela Merkel të takojë presidentin Barack Obama të premten në Uashington, ajo do të mirëpritet si udhëheqëse e Evropës për politikën ekonomike, shkruan Financial Times.

Sipas gazetës, roli i Gjermanisë në krizën e Eurozonës, në krahasim me shtetet e tjera evropiane, e bën kancelaren gjermane politikanen më të fuqishme në Evropë.

Por, sa është ajo e përgatitur të jetë lidere e politikës së jashtme të Evropës, posaçërisht kur bëhet fjalë për Rusinë e Vladimir Putinit, shtron pyetjen gazeta.

Prejse ka shpërthyer kriza në Ukrainë, Merkel ka qenë kritike e presidentit rus më shumë se çdo paraardhës i saj. Kur Putini ka aneksuar Krimenë, ajo e ka akuzuar atë për përdorim të “ligjit të xhunglës”.

Merkel ka thënë se nëse Rusia vazhdon me politikën e agresionit, shtetet fqinje do ta kuptojnë këtë si kërcënim për to. Me zemër, Merkel e ka njohur gjithmonë Putinin si oficer të KGB-së, çfarë edhe ka qenë dikur.

Por, edhe pse kritikat e saj kanë qenë të hapura, ato kanë rënë nën hijen e ndarjeve të politikës dhe biznesit gjerman, se si të veprohet me Putinin.

Financial Times shkruan se partnerët e koalicionit të Merkelit, Social-Demokratët, mbeten të prirë ndaj angazhimit tradicional të njohur si Ostpolitik (normalizim i marrëdhënieve midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Evropës Lindore), ndërsa liderët e biznesit, të cilët e shohin Rusinë si burim jetik të furnizimeve të energjisë, janë të shqetësuar në lidhje me sanksionet.

Zemërimi i Gjermanisë me Agjencinë për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, e cila ka përgjuar telefonin e Merkelit, përmendet shpesh si arsye për të qenë më të kujdesshëm me Uashingtonin sesa me Moskën.

Sipas gazetës, ankthi gjerman në lidhje me Rusinë ka rrënjë të thella dhe jashtëzakonisht të kuptueshme. Trashëgimia e Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës kanë vdekur 20 milionë rusë duke luftuar nazizmin, mbetet një pengesë e madhe për këmbënguljen e Gjermanisë.

Por, nën Putinin, Rusia është duke hyrë në një fazë të re, në të cilën nacionalizmi dhe hakmarrja po marrin hov. Politika gjermane është udhëhequr për kohë të gjatë nga besimi se kultura politike ruse mund të transformohet përmes angazhimit ekonomik.

Iluzionet e tilla, që kanë arritur kulmin kur Dmitry Medvedev ka qenë president, duhej të shuheshin shumë kohë më parë, shkruan gazeta Financial Times.

Po sipas saj, Gjermania duhet të ndërmarrë një rol më të madh në politikën e sigurisë evropiane. Evropa nuk do të jetë në gjendje të tregojë lidershipin global pa Gjermaninë. Deri më tani, Britania dhe Franca kanë qenë aktorët kryesorë të sigurisë në Evropë. Por, presionet financiare, në mesin e faktorëve të tjerë, kanë kufizuar atë që dy shtetet mund të bëjnë ushtarakiusht.

Siç ka thënë edhe presidenti gjerman, Joachim Gauck, Gjermania nuk mund të përdorë fajin për të kaluarën e saj, si arsye për t’u mos angazhuar me botën e gjerë, shkruan Financial Times.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG