Ndërlidhjet

Maqedoni, bisedimet për qeverinë e re


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Përplasjet mes dy partive politike shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare, se cila prej tyre do të jetë pjesë e qeverisë së re, do të dëbësojë edhe me shumë pozicionin e shqiptarëve në ekzekutivin e ri.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke e quajtur taktikë të paramenduar mirë veprimin e partisë maqedonase fituese të zgjedhjeve, VMRO-DPMNE-së, që drejtohet nga Nikolla Gruevski, e cila ka lënë për të kuptuar se në qeveri mund të përfshijë edhe partinë shqiptare që nuk ka fituar besimin e elektoratit shqiptar.

Arsim Sinani, profesor në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tetovës, thotë se në qeveri duhet të përfshihen partitë fituese në bllokun politik shqiptare dhe maqedonas, dhe se çdo veprim tjetër, do të ishte i disfavorshëm për shqiptarët.

“Mendoj se organet e PDSH-së do të duhej më me seriozitet t'i shohin pozicionet e veta për shkak se dihet se fituesit në kampin politik shqiptare dhe maqedonas hyjnë në qeveri. Mendoj se në asnjë rast partitë politike shqiptare nuk i kanë marrë votat për ta dobësuar faktorin shqiptar në Maqedoni dhe do të duhej që konform kësaj edhe të sillen. Çdo sjellje për të qenë gomë rezervë e partive politike shqiptare, është e papranueshme për shqiptarët në Maqedoni“, thekson Sinani.

Ai mendon se me veprimet e tilla për të vrapuar me çdo kusht pas pushtetit, partitë i pamundësojnë vetvetes ralizimin e çështjeve kryesore që ende mbeten të hapura.

“Defaktorizimi që partitë shqiptare ia bëjnë vetvetes normal do të ndikojë që në të ardhmen të mos kemi zgjidhje të asnjë problemi të shqiptarëve, si p.sh. çështjen e zgjidhjes së statusit të ish UÇK-së, zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet si gjuhë zyrtare në Maqedoni, futja e shqiptarëve në preambulën e kushtetutës si element konstituiv i Maqedonisë, përfaqësimi adekuat dhe ndarja e barabartë e posteve në ekzekutiv. Nga tre postet udhëheqese në shtet shqiptarët duhet të kenë kryetar të Kuvendit për të arsyetuar faktin se pse shqiptarët marrin pjesë në institucionet e Maqedonisë“, thotë Sinani.

Ai shton se në rast se ato hyjnë pa një program të tillë, atëherë vetëm sa do të dëshmojnë se Gruevski punon vetëm se për realizimin e interesave të veta dhe për të defaktorizuar partitë politike shqiptare.

Gruevski, i cili edhe pritet të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, gjatë fushatës elektorale në vëzhdimësi kishte kërkuar të fitojë mbi 60 vende deputetësh, gjë që edhe e arriti, për të mos u kushëtëzuar nga shqiptarët.

Partia e tij, VMRO-DPMNE dhe BDI-ja fituese te blloku politik shqiptar, kanë formuar grupet e punës për bisedime për qeverinë e re, por në të njejtën kohë Gruevski realizon bisedime edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit, duke lënë për të kuptuar se në qeveri mund të përfshihen dy partitë.

Analisti maqedon, Nikolla Dujoski, ligjerues në Universitetin e Shkupit, thotë se bojkoti i institucioneve nga ana e opozitës maqedonase dhe përfshirja eventuale e dy partive shqiptare në qeveri, nuk do të ishte mirë për demokracinë pasi Maqedonia ndoshta do të ishte vendi i vetëm pa opozitë.

“Nuk do të ishte aspak e mirë që të kemi Kuvend pa opozitë edhe atë në kohën kur kemi nevojë për reforma të mëdha, parasegjithash në pikpamje të proceseve eurointegruese pasi tani është koha kur duhet të sillen edhe vendime tjera shumë të rendësishme për zhvillimin e ekonomisë dhe të shtetit në përgjithësi. Në kuvend korrigjohet pushteti, korrigjohen ligjet që sillen nga ana e qeverisë. Pra, duhet të ketë opozitë, pasi kjo nuk do të kishte kuptim“, thotë Dujoski.

Analistët thonë se në Maqedoni nuk duhet të përsëritet viti 2006, kur në qeveri ishte përfaqësuar partia shqiptare që nuk fitoI zgjedhjet pasi pasojat nga kjo ishin evidente.

Shumica e re parlamentare nuk mund të kalonte asnjë ligj për të cilët nevojitet votimi i dyfishtë, andaj edhe pas dy viteve erdhi deri tek shpërndarja e Kuvendit.
XS
SM
MD
LG