Ndërlidhjet

Maqedoni-Kosovë: Këmbimi tregtar shënon ulje prej 38%


Kufiri Kosovë - Maqedoni
Kufiri Kosovë - Maqedoni
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azevski dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, pasi kanë nënshkruar të martën në Shkup një marrëveshje për stimulimin e bashkëpunimit ekonomik, kanë shprehur shqetësimin e tyre për uljen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti në raport me vitin e kaluar, eksporti në Kosovë ka pësuar rënie prej 21%. Ndërkohë, shkëmbimi 1 vjeçar, ai i 2013-ës krahasuar me 2012-ën, regjistron rënie prej 38%.

“Krahasuar me një vit më parë gjegjësisht, 2013 me 2012, këmbimi tregtar me Kosovën është ulur për rreth 38%, që sipas analizave tona, këmbimi tregtar ka pësuar ulje në sektorin e metalurgjisë, asaj ushqimore. Do të angazhohemi që të gjitha anomalitë të cilat kanë krijuar pengesa të eliminohen, dhe ky hendek i zbrazët që është krijuar prej 250 milionë dollarëve të shmanget”, është shprehur Azevski.

Ai theksoi se rënie më të madhe nga sektorët e industrisë, kanë shënuar derivatet e naftës, për minus 64,7%.

Azevski dhe Gërxhaliu kanë theksuar se funksionimi i marrëveshjeve politike në mes Kosovës dhe Maqedonisë është i pamundur në kapacitet të plotë pa pasur dhe vulën ekonomike.

“Me vetë faktin se kemi rënie të bashkëpunimit të këmbimit tregtar mes dy vendeve fqinje, që shqetëson partnerët tonë këtu në Maqedoni, po edhe neve në Kosovë, jemi këtu që të gjejmë alternativë si të dilet nga kjo situatë. Hapi i parë është që sa më parë të eliminohen të gjitha proceduarat burokratike të cilat paraqiten në kufi, meqë nuk udhëtohet Prishtinë-Shkup për katër orë".

"E dyta është koha e fundit që ne të fillojmë të mësojmë nga Evropa duke pasur një menaxhim të integruar të kufirit. E treta është investimi në infrastrukturë, dhe krejtësisht në fund duhet të gjejmë mundësi për të konkurruar bashkarish në tregjet e treta dhe njëkohësisht të bashkëpunojmë për të absorbuar mjete nga tregjet evropiane”
, ka theksuar Safet Gërxhaliu.

Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi, duke komentuar uljen e këmbimit tregtar mes dy vendeve fqinje, thotë se Maqedonia humbet një partner shumë të rëndësishëm ekonomik, si pasojë e neglizhencës së Qeverisë së Maqedonisë.

“Në këtë drejtim do të theksoja se bizneset janë ata të cilat mundohen të bëjnë maksimumin e tyre, dhe kjo ndodh falë angazhimit me të gjitha kapacitetet e kompanive të tyre. Ky bashkëpunim jo gjithmonë është përcjellë dhe me vullnetin e mirë të dy qeverive, për tejkalimin e barrierave të cilat ka kohë që janë potencuar, siç është aspekti i infrastrukturës ligjore do të theksoja fillimisht, dhe më pas është mungesa e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe atë energjetike”, tha Kuçi.

Ndryshe, përmes marrëveshjes mes Odave Ekonomike të të dy vendeve, synohet që dy shtetet do të kenë nga një përfaqësues në shtetin fqinj, me misionin e përmirësimit të informimit dhe promovimit të produkteve të të dy shteteve.
XS
SM
MD
LG