Ndërlidhjet

Pranimi i Maqedonisë në NATO, i ndërlidhur me Ukrainën


Ilustrim
Ilustrim
Bisedimet e mbrëmshme në Nju Jork për çështjen e emrit kanë përfunduar pa ndonjë epilog, ashtu siç edhe pritej, sa i përket afrimit të qëndrimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Pas këtij takimi, ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, tha se ka inkurajuar palët që pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi, dy vendet të angazhohen më seriozisht për gjetjen e një kompromisi të pranueshëm për dy shtetet.

Nimic nuk doli me ndonjë propozim për emrin e ri të Maqedonisë, por tha se është i gatshëm të shqyrtojë çdo nismë që mund të dalë nga palët në negociata. Nga ana tjetër, në opinion qarkullojnë informacione mbi mundësinë e pranimit të Maqedonisë në NATO me emrin e përkohshëm të saj, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).

Një zgjidhje e tillë sipas burimeve diplomatike që transmetojnë mediat vendore, mund të vijë për shkak të krizës në Ukrainë. Siç bëhet e ditur, vendimi për pranimin me këtë emër, do të ishte i përkohshëm deri në ratifikimin e marrëveshjes nga të gjitha shtetet anëtare, me atë që shteti i fundit që do të bënte ratifikimin, do të ishte Greqia.

Dy vendet thuhet se do të kenë në dispozicion një periudhë gati dyvjeçare për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët, pas çka edhe pranimi i Maqedonisë në NATO do të ishte rrumbullakësuar.

Një mundësi e tillë komentohet në mënyra të ndryshme nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë.

“Ngjarjet në Ukrainë pa dyshim se mund të reflektohen edhe në këto hapësira në periudhën e ardhshme, ndoshta jo shumë shpejt, por më vonë, patjetër nëse Maqedonia humb perspektivën apo shansin për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE”.

“Ngjarjet në Ukrainë me siguri se kanë nxitur edhe ndërmjetësin Metju Nimic të deklarojë se Greqia dhe Bullgaria duhet t’i respektojnë aspektet e sigurisë dhe të pajtohen apo të gjejnë ndonjë zgjidhje për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, thotë njohësi i çështje politike, Vllado Popovski, profesor në Universitetin e Shkupit.

Por, ai është pesimist nëse Greqia do të pajtohet me një zgjidhje të tillë të përkohshme, pra pranimin e Maqedonisë në NATO me referencën IRJM deri në zgjidhjen përfundimtare të kontestit. Madje, Popovski thotë se në Greqi ka qarqe që punojnë për destabilizimin e Maqedonisë.

“Unë jam pesimist se Greqia do të ndryshojë qëndrimin e saj për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, pasi ka indikacione se politika konservative greke dëshiron më tepër destabilizimin e Maqedonisë se sa zgjidhjen e kontestit“, vlerëson Poposki.

Ndërkohë, Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon, thotë se kriza në Ukrainë ndoshta nuk do të reflektohet në zhvillimet në Maqedoni, por ajo është shkas për ndërkombëtarët që të bëjnë edhe më shumë presion ndaj dy vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin.

“Unë e shoh si ndonjë argument më tepër që të shtyhen palët të mendojnë se moszgjidhja e kontestit, eventualisht, mund të çojë në situata të destabilizimit, të cilat normalisht për shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, nuk do të ishte e pëlqyeshme”, thotë Kadriu.

Ai thekson se dy vendet, si Greqia, ashtu edhe Maqedonia, deri tani nuk kanë treguar asnjë vullnet për zgjidhjen e këtij kontesti.

“Moszgjidhja e kontestit është rezultat i mungesës së interesimit nga të dyja palët. Por, për zgjidhjen e këtij problemi më tepër duhet të jetë e interesuar Maqedonia, pasi ajo është e bllokuar në rrugën e euro-integrimeve“, shprehet Kadriu.

Zgjidhja e kontestit të emrit dhe anëtarësim i Maqedonisë në NATO dhe BE, do të jetë një nga pikat kryesore të partive politike për formimin e qeverisë së re.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në disa raste ka theksuar nevojën urgjente për zgjidhjen e kontestit, duke mos përjashtuar mundësinë e krizës së re politike dhe zgjedhje të jashtëzakonshme në vjeshtë, nëse ngecin proceset integruese të vendit.
XS
SM
MD
LG