Ndërlidhjet

WSJ: Fantazmat e Evropës


Ilustrim
Ilustrim
Lidhur me pikëpamjen se ekziston një shtresë e mjegullt në pjesën më të madhe të gjërave, duhet t’i keni parasysh rezultatet e zgjedhjeve evropiane, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Wall Street Journal, dhe konstaton se fashizmi është kthyer, zyrtarisht, i shëmtuar si çdoherë.

Por, së paku amerikanët mund të kursehen nga leksionet se janë të patakt ndaj politikave të Shteteve të Bashkuara ndaj Evropës.

Autori i shkrimit, Bret Stephens, thekson se sa herë që dëgjon për Frontin Kombëtar, i shkon mendja në Amandamentin e Dytë të tij. Shumë njerëz janë për tu fajësuar për këtë turpërim ndaj kontinentit, por të fillojmë me atë që është më së tepërmi për tu fajësuar: elektorati francez.

Javën e kaluar, Jean-Marie Le Pen, themelues i Frontit Kombëtar, hienë e partisë në dimër, ka sugjeruar një metodë se si Evropa do të mund ta zgjidhte “problemin e imigrimit” të saj.

Ai tha “zoti Ebola do të mund të largohej brenda tre muajsh”, shkruan Wall Street Journal, dhe shton se një prej katër zgjedhësve francezë ka votuar për Frontin Kombëtar, duke e anashkaluar partinë e qendrës së djathtë UMP dhe duke u shkaktuar disfatë socialistëve në qeveri.

Në mbrëmje të ditës së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, vajza e zotit Le Pen, dhe liderja aktuale e partisë, Marine Le Pen, deklaroi : “Populli ynë kërkon vetëm një politikë, politikën e francezëve për francezët”, shkruan Wall Street Journal dhe e shtron pyetjen se çka është franceze për një njeri?

Zonja Le Pen supozohej se ishte më fytyrë më të butë dhe të lëmuar në partinë e babait të saj, por dëshmohet se kjo është vështirë të shihet.

Muajin e kaluar ajo i bëri një vizitë Moskës, me ç’rast e kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për shpalljen e “Luftës së Ftohtë” ndaj Rusisë, dhe e përqafoi separatizmin në Ukrainë.

Sa i përket Vladimir Putinit, ajo aktualisht e lavdëroi në një intervistë duke e cilësuar atë si “patriot”, i cili “e mbështet pavarësinë e popullit të vet” dhe i mbron “vlerat e civilizimit evropian”, shkruan Wall Street Journal.

Me sa duket, këto vlera, sipas saj, janë invadimi dhe frikësimi i fqinjëve, mbushja e kutive të votimit, burgosja e disidentëve dhe përpjekja për ripërtëritjen e reputacionit të Bashkimit Sovjetik.

Kremlini, po ashtu, u është qasur në mënyrë miqësore edhe partive të tjera në Evropë: partisë Jobbik në Hungari, e cila mori afro 15% të votave në zgjedhjet e javës së kaluar, dhe partisë greke, Agimi i Artë, e cila fitoi 9.4%.

Këto parti nuk janë neofashiste, sipas shabllonit të hershëm të Benito Musolinit. Ato janë neonaziste, sipas shabllonit të vonshëm të Ernst Rohm, shkruan Wall Street Journal.

Partia greke Agimi i Artë, marshon nën flamurin e ngjashëm me kryqin e thyer.

Sa i përket partisë hungareze Jobbik, kur Kongresi Botëror i Hebrenjëve mbajti mbledhje në Budapest, vitin e kaluar, ajo ka organizuar një tubim për t’i denoncuar “okupatorët izraelitë, këta investitorë të cilët duhet të shikojnë për një vend tjetër në botë për vetveten, pasi Hungaria nuk është në shitje”.

Kjo, po ashtu, është zë i “civilizimit evropian”.

Pozitë të lartë në listën e fajit në Evropë ka klasa elite politike evropiane, që është një aristokraci gjarpërore, e cila ende nuk e ka kuptuar se përse stërgjyshërit e tyre politik marshuan deri në gilotinë.

Para një dekade ishte një mençuri konvencionale për të observuar se Evropa ishte shndërruar në zonë të paqes së përhershme, një faktor i fuqisë së butë dhe së drejtës ndërkombëtare, pra një Venerë e Marsit amerikan. Por, historia po kthehet prapa në Evropë, dhe jo vetëm në margjina të largëta në vendet si Donjecku.

Parlamenti Evropian ndoshta mund të jetë i padhëmbë si institucion politik. Por, tash nuk mund të mbyllen sytë ndaj faktit se fashizmi tashmë nuk është vetëm pjesë e së kaluarës në Evropë, por, po ashtu, mundësi realiste për ardhmërinë e saj.

Do të ketë përpjekje për varrimin e implikimeve të këtij votimi për pesë vite të tjera. Por, nëse papunësia e të rinjve mbetet 25% në Francë dhe 57% në Spanjë, këto zgjedhje do të jenë vetëm fillim i një kaptine tjetër të shëmtuar në civilizimin evropian. Zoti Putin mund të ndjej se fantazmat që rrinë pezull mbi kontinent, janë të favorshme për të, shkruan në fund të artikullit të gjatë e përditshmja Wall Street Journal.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG