Ndërlidhjet

Rruga në Nju Jork me emër të shkrimtarit rus


Sergei Dovlatov
Sergei Dovlatov

Carls Schreck, Radio Evropa e Lirë, Nju Jork

Një lagje në Nju Jork, ku autori emigrant rus, Sergei Dovlatov, i kishte shkruar disa nga veprat e tij më të suksesshme, përgatitet ta nderoj emigrantin e ndjerë duke e emëruar një rrugë me emrin e tij. Ky autor nuk kishte mundur të botojë në ish-Bashkimin Sovjetik.

Autori rus, Sergei Dovlatov, njëherë i ka përshkruar emigrantët sovjetikë në lagjen e tij në Nju Jork, si përzierje e avokatëve, shkrimtarëve, doktorëve dhe agjentëve të patundshmërive, së bashku me “gangsterët rusë, njerëzit e krisur dhe prostitutat”.

Atje ekziston, madje, edhe një muzikant i verbër rus”, kishte shkruar Dovlatov në vitin 1986 në romanin e tij “Gruaja e jashtme”, me tematikë nga jeta në Forest Hills, në Kuins të Nju Jorkut.

Shumë prej këtyre personaliteteve përfaqësuese të së ashtuquajturës “valë e tretë” e emigrantëve rusisht-folës ishin larguar nga lagjja, por emri Dovlatov së shpejti formalisht mund të jetë shenjë e rrugës afër ndërtesës ku ai jetoi dhe punoi deri në vdekjen e tij, në vitin 1990, në moshën 48-vjeçare.

Këshilli i qytetit të Nju Jorkut, para një jave, e ka miratuar këtë masë për rrugën me emrin “Sergei Dovlatov Way” dhe pritet të nënshkruhet nga prefekti, Bill de Blaasio, për t’u bërë legjislacion.

“Do të isha jashtëzakonisht e nderuar nëse kjo ndodh, nëse de Blasio e nënshkruan, dhe besoj se sikur babai im të ishte gjallë, mendoj se ai me gjasë do të ndjente se do të ishte një nderim i jashtëzakonshëm, gjithashtu”, thotë Katherine Dovlatov, vajza e shkrimtarit të ndjerë.

Me prozën e tij ironike dhe precize, Sergei Dovlatov në mënyrë të pasuksesshme kishte provuar të botonte në Bashkimin Sovjetik. Përfundimisht, ai e kishte qarkulluar punën e tij nëpërmjet sistemit të publikimit të fshehtë të disidentëve, i njohur me emrin “samizdat”.

Ai arriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1979, “me valën e tretë” të emigrantëve hebrenj nga Bashkimi Sovjetik, duke u vendosur me gruan dhe vajzën e tij në Forest Hills.

Karriera e Dovlatovit filloi të ngrihet me sukses, pasi revista e respektuar në Shtetet e Bashkuara, “The New Yorker”, i publikoi tregimet e tij dhe 12 libra të tij u botuan në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, shumica e të cilave ishte shkruar në banesën familjare në rrugën, e cila së shpejti do ta bartë emrin e tij.

“Ky është vendi ku familja u vendos, në Forst Hills, dhe në këtë rrugë nëna ime ende jeton deri në këtë ditë. Ky është vendi ku ne jetuam për 12 vite pasi erdhëm në Nju Jork dhe ku ai e shkruajti pjesën më të madhe të veprave të tij, që u publikuan në Shtetet e Bashkuara, derisa ai ishte gjallë”, tregon vajza e shkrimtarit, Katherine Dovlatov.

Fushata për ta emëruar rrugën me emrin Dovlatov kishte filluar vitin e kaluar nga një grup i dashamirëve të autorit, që ishin inspiruar me suksesin e vet për marrjen e lejes për vendosjen e pllakës në ndërtesën në Forest Hills, ku ai kishte jetuar.

Në këtë nismë përfshihej edhe peticioni në Internet, që ishte nënshkruar nga më se 18 mijë vetë, mbështetës të Dovlatovit në gjithë botën.

Për më tepër se dy dekada pas vdekjes së këtij shkrimtari, veprat e tij kanë zgjuar interesim të gjerë dhe audiencë të madhe entuziaste në Rusi dhe në gjithë shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Ky popullaritet reflektohet me lavdërimet e jashtëzakonshme të postuara nga ata që e nënshkruan peticionin për emërimin e rrugës me emrin e Dovlatovit.

“Ju mund të filloni ta lexoni prozën e tij dhe në çdo sentencë ju do të gjeni diçka të re për vetveten tuaj në çdo kohë”, shkruan mbështetësi i identifikuar si Sergey Bogdanov, nga qyteti-port i Ukrainës, Odesa.

Kjo ishte saktësisht një ndjenjë e reflektuar e vajzës së shkrimtarit, Katherine Dovlatov, e cila e kishte përkthyer në anglishte romanin e babait të saj “Zapovednik” të vitit 1983, që është publikuar në muajin mars të këtij viti me titull “Pushkin Hills”.

Ajo thotë se vazhdon t’i kthehet punës në veprat e babait të saj.

“Kthehem tek ai pasi ndjej se ende bisedoj me babanë dhe mendoj nëpër jetë, derisa rritem dhe bëhem më e vjetër, se ende ekziston diçka që ai ka për të më thënë, lidhur me atë që unë jam duke kaluar në atë kohë të veçantë”, thotë Katherine Dovlatov.

Ajo shpreson se paraqitja e mbishkrimit “Sergei Dovlatov Way” në Kuins, do t’i inkurajojë më shumë njerëz ta zbulojnë dhe njohin babanë e saj dhe shkrimet e tij, por ajo përkujton se kjo ende është çështje e nënshkrimit të prefektit de Blasio.

Nëna e saj, Elena Dovlatova, vazhdimisht qëndron e heshtur.

“Nëna ime ka paragjykime dhe ajo ende refuzon të flasë me gazetarë”, thekson Katherine Dovlatov. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG