Ndërlidhjet

Maqedoni: Debat për ndryshimet kushtetuese


Ndryshimet kushtetuese të inicuara nga qeveria duhet të përfshijnë edhe rregullimin e çështjeve të hapura që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni, thonë njohësit e çëshjeve juridike.

Ata i mbështesin ndryshimet që synojnë pavarësimin e pushtetit gjyqësor si dhe rregullimin e disa çëshjeve në sferën e financave, por këto masa sipas tyre, do të ishin të plota nëse përfshijnë edhe zgjidhjen e kontesteve që tani një kohë shkaktojnë përplasje në raportet ndëretnike.

Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese, thotë se ndryshimet duhet të nisin që nga preambula, e deri të rregullimi i gjuhës, simboleve e miratimi i ligjeve me votim të dyfishtë.

“Tani është momenti që me kushtetutë të rregullohet çështja e shtetësisë, që edhe shqiptarët te jenë element shtetformues në Maqedoni. Kjo ka qenë e garantuar me kushtetutën e vitin 1974, por këtë të drejtë tani nuk e kemi. Pra, kjo çështje duhet të rregullohet. Çështja tjetër ka të bëj me flamurin, simbolet kombëtare, pastaj me gjuhën që ajo të jetë zyrtare, apo e barabartë me maqedonishten".

"Gjithashtu duhet saktësuar edhe çështja që ka të bëjë me votimin e dyfishtë, apo parimin e Badenterit, pasi në formën e tanishme nuk është e qartë. Pra, duhet me emër dhe mbiemër të përmenden të gjitha normat juridike, të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me çështjet kombëtare e për miratimin e të cilëve kërkohet shumica e dyfishtë“, thotë Kadriu duke veçuar me këtë rast edhe zgjedhjen e presidentit të shtetit në Kuvend dhe jo në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Ai thotë se tani është koha që të realizohet kërkesa e Bashkimit Demokratik për Integrim në qeveri, e cila kishte bojkotuar zgjedhjet presidenciale, pikërisht për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për zgjedhjen e një presidenti konsensual, e që më pas kishte zytarizuar edhe kërkesën për mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Edhe në këtë sferë duhet të kemi ndryshime kushtetuese, pra ndryshime lidhur me zgjedhjen e presidentit. Nëse kreu i shtetit edhe me tej zgjidhet nga qytetarët besoj se nuk ka gjasa as teorike që një kandidat jo maqedonas të zgjidhet për president shteti. Por, nëse ndryshon mënyra e zgjedhjes së presidentit, pra nëse ai zgjidhet në Kuvend, atëherë besoj se në një prej mandateve president shtetit të zgjidhjet edhe një kandidat jo maqedonasm apo shqiptar“, thotë Kadriu

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se çëshjet që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike, nuk janë hapur meqë nevojitet shumë kohë për arritjen e marrëveshjes rreth tyre, ndërkohë që ndryshimet e inicuara për gjyqësorin dhe financat, sipas BDI-së, duhet të miraton deri para publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë.

Ndryshe, propozimet e qeverisë kanë të bëjnë me përbërjen e këshillit gjyqësor, i cili në radhët e tij nuk do të ketë ministrinë e drejtësisë dhe kryetarin e gjyklatës kushtetuese, ndryshim ky që besohet se do të rris edhe më tej pavarësinë e gjyqësorit, pastaj për herë të parë do të aplikohet institucioni kushtetues i ankesave.

Martesa me ndryshimet kushtetuese do të definohet vetem si bashkësi mes burrit dhe gruas ndërsa propozimet tjera kanë të bëjnë me sferën e financave, përfshirë edhe ndërrimin e emrin të Bankës Popullore në Bankë të Maqedonisë.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka thënë se propozimet e këtilla kanë për qëllim përmirësimin e punës së institucioneve si dhe zbatimin e standardeve të më të larta që do të mundësojnë kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe të demokracisë në vend.

XS
SM
MD
LG