Ndërlidhjet

OBT-ja i mbetet qeverisë së ardhshme


Një pikë doganore në Kosovë
Një pikë doganore në Kosovë

Që nga viti 2007 autoritetet në Kosovë kanë filluar përgatitjet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), por deri më tani nuk kanë aplikuar.

Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, në kohën e të cilit për herë të parë kanë filluar përgatitjet dhe takimet, thotë se në atë periudhë Kosova ka plotësuar standardet e kërkuara për aplikim në këtë mekanizëm.

Ai konsideron se Kosova tashmë me sukses ka mundur të përmbyllë këtë proces, por neglizhenca dhe papërgjegjësia e autoriteteve qeveritare ka ndikuar që vendi të mos jetë anëtar i kësaj organizate.

“Kjo është neglizhencë dhe papërgjegjësi e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeverise se Kosovës. Sepse të qenit anëtar i OBT-së ka aspekte tjera pozitive, qoftë në dobi të investimeve të huaja, qoftë në bashkëpunimet ekonomike më vendet e fuqishme ekonomike".

"Mendoj se kjo është një neglizhencë e paarsyeshme dhe thjesht nuk e di për çfarë arsye është bërë. Unë mendoj se Kosova ka është dashur shumë më herët të përfundojë këtë proces, i cili ka mundur të përfundojë në sukses të Kosovës”, thotë Dugolli për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarë qeveritarë pohojnë se vazhdimisht kanë punuar në përgatitjen për anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, për Radion Evropa e Lirë thotë se është çështje muajsh kur Kosova do të aplikojë për anëtarësim në këtë mekanizëm.

Nikaj thotë se tashmë kanë identifikuar një numër të masave që duhet të ndërmerren dhe pas plotësimit të këtyre masave, Kosova është e gatshme të aplikojë.

Duke treguar masat e nevojshme ministri në largim Bernard Nikaj, thotë se kjo varet edhe nga qeveria e re, se çfarë prioriteti do t'i japë procesit të aplikimit.

“Janë një sërë masash që kanë të bëjnë më sektorë të ndryshëm të qeverisë, jo vetëm në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, por edhe në kuadër të ngritjes së kapaciteteve tek organizmat tjerë që kanë të bëjnë me OBT-në".

"Për shembull me ngritjen e standardeve sanitare dhe fito-sanitare, me ngritjen e kapaciteteve administrative në këto institucione. Njëra nga kërkesat e mëhershme që ne kemi plotësuar ka qenë reformimi dhe ngritja e kapaciteteve të departamentit të Tregtisë, këtu te ne në MTI”, thotë Nikaj.

Një nga çështjet që mbetet për t'u diskutuar dhe përgatitur është se në çfarë modaliteti të aplikohet për anëtarësim në OBT, thotë Nikaj.

“Duke pasur parasysh që nuk jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe si pasojë e kësaj nevojiten disa opsione që duhet të vendosen në nivel politik. Ne kemi përgatitur opinionet se cili modalitet aplikohet, por kjo do të varet nga vullneti politik i qeverisë së ardhshme dhe prioriteti që ajo qeveri do t'i japë këtij procesi”, shprehet Nikaj.

Dilemat për modalitet kanë qenë në mes anëtarësimit të rregullt dhe shtetit vëzhgues për një periudhë fillimisht pesëvjeçare.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), është një organizatë ndërkombëtare me seli në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG