Ndërlidhjet

Maqedoni: Integrimi, vetëm pasi të përmbushen detyrimet


Analistët politikë, duke komentuar vendimin e mbledhjes së XI të Këshillit për Stabilizim-Asociim ndërmjet BE-së dhe Republikës së Maqedonisë, me ç’rast u soll rekomandim i ri që Maqedonia të fillojë bisedimet për anëtarësim me BE-në, si dhe të hyjë në fazën e dytë të Marrëveshjes për Stabilizim- Asociim, thonë se kjo është nxitje për realizimin e detyrimeve të përcaktuara nga faktori ndërkombëtarë dhe assesi nuk duhet lexuar si shpresë se vjeshta mund të sjellë vendime të favorshme për Maqedoninë pa i plotësuar ajo detyrimet që ka për t`i realizuar.

“Vendimi i djeshëm më shumë mund të konsiderohet si simbolik, gjegjësisht shprehje e vullnetit të mirë nga ana e Bashkimit Evropian, meqë vendimet merren me konsensus. Pra, bëhet fjalë për një Këshill ku marrin pjesë faktorë të rëndësishëm si nga BE-ja, ashtu dhe nga Maqedonia dhe detyrë thelbësore Këshilli ka mbikëqyrjen e realizimit të marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Maqedonisë dhe BE-së”, thotë Bojan Mariçiq, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

Ai thekson se Maqedonia futet nga një krizë politike në tjetrën, sepse tashmë është më se e qartë se problemit me çështjen e emrit, i shtohet dhe një listë e gjatë e obligimeve që duhet përmbushur gjatë procesit të integrimit, siç është dialogu politik, sundimi i së drejtës, liria e të shprehurit etj.

“Dera e lënë pjesërisht hapur krijon shpresë, por unë do të thosha se në këtë rast paraqet obligim për politikë-bërësit që të bëjnë punën e tyre, meqë rekomandimi për anëtarësim edhe mund t`i merret Maqedonisë, e në atë rast, Maqedonia do të futej në një rrugë të pakthim të moszgjidhjes së problemeve për një kohë të gjatë”, vlerëson Mariçiq.

Ndërkaq, Arsim Sinani, analist, thotë se qendrat vendosësh, duke përjashtuar fjalorin diplomatik gjithnjë e më qartë rikujtojnë autoritete e vendit për detyra, të cilat duhet realizuar sa i përket procesit të integrimit, ndërkohë, sipas tij, mbahet kujdes vetëm gjatë deklarimeve para qytetarëve për të mos i dezinkurajuar ata në aspiratat për integrim në strukturat euro-atlantike.

“Mendoj se forma se si u thuhet institucioneve të Maqedonisë ‘nën tavolinë’,m gjegjësisht gjatë bisedave të cilat nuk publikohen, thuhet shumë qartë se çka duhet bërë Maqedonia dhe cilat detyra nuk i ka realizuar”.

Zyrtarët e lartë evropianë edhe në rastin e fundit që ka të bëjë me mbledhjen e XI të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, janë shumë të kujdesshëm që të mos e dëshpërojnë qytetarin në Maqedoni, që ai të mos e humbë shpresën, dëshirën madje dhe ëndrrën për të qenë pjesë e Evropës”, thekson Sinani.

Ndryshe, pas takimit të Këshillit, zyrtarët e lartë evropianë kanë përsëritur edhe një herë se “Marrëveshja për Stabilizim-Asocim mbetet esenca e marrëdhënieve mes BE-së dhe Republikës së Maqedonisë deri në afrimin e vendit kah Unioni”, duke apostrofuar nevojën për dialog politik konstruktiv të të gjithë aktorëve politikë, njëherësh duke përfshirë dhe raportet ndëretnike dhe realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ndryshe, pas takimit me zyrtarët evropianë, shefi i diplomacisë maqedonase është shprehur se prioritet mbetet bashkëpunimi midis Maqedonisë dhe institucionet evropiane.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG