Ndërlidhjet

Maqedoni: Hendek komunikimi mes pensionistëve dhe të rinjve


Ilustrim
Ilustrim

Pensionistët në Maqedoni thonë se zhvillimet e fundit në shoqërinë maqedonase, gjegjësisht hovi në rritje i dinamikës, me të cilën përballen gjeneratat më të reja, ka bërë që rreth tyre gjithnjë e më shumë krijohet një hendek komunikimi me rrethin, duke u izoluar në vetmi.

Dalibor Nikolovski rreth 80 vjeç, thotë se edhe pse në moshë, ai mund të kontribuojë shumë në shoqëri, veçanërisht në profesionin e tij si lektor, të cilin e ka ushtruar më shumë se 4 dekada. Por, siç shprehet ai, mundësitë ndryshe nga vendet evropiane, në Maqedoni, janë të vogla.

Tani jemi në një moshë të shtyrë dhe ndjej se të rinjtë mendojnë se janë shterur të gjitha mundësitë për të kontribuar në këtë shoqëri, nuk na konsultojnë, ndërkohë që unë mjeshtëritë më të mëdha në profesionin tim i kam mësuar sa nga libri, shumëfish më shumë nga kolegët më të vjetër, të cilët na praktikonin atëkohë”, thotë Nikolovski, duke shpjeguar se plaga e hapur nga vetmia bëhet gjithnjë e më e thellë.

Nikolovski thekson se jeta në qytetet më të vogla është shumë më e organizuar për ata të cilët janë të shtyrë në moshë, sesa në kryeqendër, duke krahasuar vendin e lindjes, Manastirin, me Shkupin.

Nga ana tjetër, Adem Hasani thotë se nuk mund t`i gëzohet pensionit tash e gjashtë vjet, sepse po aq kohë sa ai është në pension, e bija është e papunë dhe kjo brengë nuk i lë mundësi për t`u marrë me ndonjë aktivitet.

Po jam edhe shëndetligë, vij këtu në park, gjej ndonjë shok, bëj pak muhabet dhe pas disa orësh kthehem në shtëpi, kjo është përditshmëria ime. Unë kam shëtitur në Evropë dhe mund të them se edukata jonë është shumë larg asaj në vendet evropiane, sa i përket përkujdesjes institucionale ndaj më të moshuarve”, thotë Hasani.

Ndërkohë, shoqatat e pensionistëve ankohen se aktivitetet e tyre frekuentohen nga një rreth i vogël i pensionistëve.

“Me aktivitetet tona tashmë mundohemi që ta ringjallim jetën e pensionistëve, duke u krijuar mundësi atyre që të organizohen në klube, të zhvillojnë jetën kulturo-argëtuese, të organizohen në degë sportive, dhe mundësi të tjera”, bën të ditur kryetari i Shoqatës së Pensionistëve në Çair të Shkupit, Mentor Qoku.

Nga ana tjetër, sociologët thonë se ajo që i ndodhte botës perëndimore para disa dekadash, pra krijimi i hendekut mes gjeneratave të reja dhe atyre më të vjetra, tani i ndodh Maqedonisë.

Mirëpo, për dallim nga vendet e zhvilluara evropiane, vlerësojnë sociologët, gjendja materiale është ajo që kërcënon dinjitetin e pensionistëve në Maqedoni.
“Këtu te ne, kur shkurtohen fondet, bëhen rebalancët e buxhetit, shkurtime më të mëdha pëson pikërisht kjo kategori sociale. Mirëpo, po qe se marrim dhe e analizojmë më thellë problemin, do të shohim se problemi nuk është vetëm te gjeneratat më të reja, por edhe te gjenerata e vjetër, e cila duhet të bëjë orvatje t`i ofrohet në çfarëdo forme gjeneratës së re për ndihmë dhe bashkëpunim”.

“Në perëndim më të moshuarit vihen në funksion të gjeneratës më të re, derisa te ne, në njëfarë forme ata shfaqin në dozë egoizmi duke shkuar në kishë, xhami dhe kryekëput duke u marrë me veten. Ata që mund, duhet që sa më shumë t’u ofrohen gjeneratave më të reja, dhe të bashkëpunojnë me ta, sepse krahas asaj se do ta plotësojnë ditën dhe nuk do të ndihen të margjinalizuar dhe të rinjtë do të kenë një shtytje sa i përket prosperitetit të tyre”, vlerëson Hasan Jashari, sociolog.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë një varg vendimesh për të përmirësuar cilësinë e jetesës së pensionistëve, krahas rritjes së pensioneve në dy raunde për nga 10 euro, pensionistëve u është siguruar pushim në banja termale pa pagesë , disa ditë në javë qarkullim falas me autobusët urban etj.

XS
SM
MD
LG