Ndërlidhjet

Vendime selektive të institucioneve gjyqësore


Ilustrim
Ilustrim

Gjykimi i gjashtë protestuesve për rastin “Mostra” me nga 3 vjet burg, ka ngritur tensione në Maqedoni.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se bëhet fjalë për vendim selektiv të institucioneve gjyqësore, meqë për protestat e dhunshme ndaj pronave të popullatës shqiptare, kohë më parë në lagjen e Gjorçes në Shkup, protestuesit e dhunshëm nuk janë dënuar as me burg e as me para.

Veprimet e tilla sipas, Osman Kadriut, ekspert për çështje juridike, flasin për gjyqësi të kontrolluar nga qendra të caktuara që mund vetëm të tensionojnë edhe më shumë situatën me pasoja të paparashikueshme për vendin.

“Vendimet që miratoi gjykata penale janë pasojë apo vazhdimësi e gjykimeve politike. Vendimet e tilla të gjykatës penale mendoj se kanë për qëllim ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve për të mos protestuar, sidomos presion ndaj shqiptarëve. Vendimet e kësaj gjykate janë drakonike nëse krahasohen me vendimet për rastet e ngjashme që kanë ndodhur".

"Pra, kemi të bëjmë me vendime shumë të rënda dhe vendime politike. Mendoj se këto dënime edhe më shumë do të keqësojnë situatën, sidomos në raportet ndëretnike, por kjo do të reflektohet edhe ndaj stabilitetit të shtetit”, thotë Osman Kadriu, ligjërues i së drejtës kushtetuese.

Vllado Dimovski, nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike thotë se fajtor për tensionet janë partitë politike të cilat prioritet kanë interesat e tyre personale dhe partiake.

Ai thotë se protestat më tepër bëhen për shkak të pakënaqësive ndaj pushtetit gjyqësor dhe se protesta të tilla janë mbajtur edhe nga vet maqedonasit.

“Raportet ndëretnike nuk i përkeqësojnë qytetarët, por politikanët të cilët për momentin udhëheqin me shtetin. Ata krijojnë situata të ndryshme për qëllime të caktuara ndërsa i përket protestave mendoj se ato nuk kanë lidhshmëri me raportet ndëretnike, por janë shprehje e pakënaqësisë ndaj sistemit gjyqësor, ndaj vendimeve të shqiptuara".

"Pakënaqësi ndaj gjyqësorit nuk ka vetëm nga ana e shqiptarëve, por edhe nga vet maqedonasit. Por, shqiptarët gjithmonë kur protestojnë bartin me vete parulla për Iliridën, Shqipërinë e Madhe, për UÇK-në kështu me radhë, dhe një ikonografi e tillë i jep atyre karakterin protestave etnike”, thotë Dimovski.

Ndërkohë në një raport të publikuar ditë më parë nga Komiteti i Helsinkit për tensionet e ngritura në raportet ndëretnike fajësohen kryesish partitë politike dhe institucionet e shtetit.

Sipas raportit, nga muaji shkurt i vitit të kaluar në Maqedonia janë regjistruar 175 vepra të ndryshme dhe 128 prej tyre janë bërë shkak të përkatësisë etnike.

Këto të dhëna flasin se politikat në vend nuk shkojnë në drejtim të rritjes së bashkëjetesës mes etniteteve të ndryshme. Përkundrazi, e gjithë ajo që po ndodhë për momentin është rezultat i politikave të gabuara. Republika e Maqedonisë është shtet multi-kulturor dhe multietnik dhe në një shoqëri të këtillë institucionet e sistemit duhet të krijojnë politik që çojnë në drejtim të afrimit të bashkësive etnike”, thotë Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.

Protestat në Shkup e më vonë edhe në qytetet tjera, filluan pas dënimit të gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”.

Ata u shpallën fajtor për vrasjen e pesë maqedonasve dy vite më parë në Smillkovcë të Shkupit, ngjarje kjo që shkaktoi tensione të shumta në vend.

Por si të akuzuarit, ashtu edhe pala mbrojtëse thotë se bëhet fjalë për proces të montuar.

Edhe partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj gjykimeve duke kërkuar nga instancat më të larta gjyqësore që kë rast ta trajtojnë në bazë të argumenteve dhe jo të paragjykimeve të ndryshme.

XS
SM
MD
LG