Ndërlidhjet

Ushtritë terroriste, më të zgjuara dhe më vdekjeprurëse


Transformimet ushtarake mund të jenë të vështira të vërehen. Ato zakonisht ndodhin nëpër dekada, ndonjëherë me kalim të gjeneratave të tëra, shkruan në fillim të editorialit, e përditshmja Washington Post.

Ushtarët janë të parët që i vërejnë këto ndryshime, por sipas gazetës, për mendjehollët, shenjat e një ndryshimi në zhvillimin e fushëbetejave të sotme vërehen.

Gazeta sugjeron të shikohen me kujdes fotografitë e luftimeve në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe thotë se do të vihet re se po luftohet ndryshe nga e kaluara.

Menjëherë pas sulmit të 11 shtatorit të vitit 2001, Perëndimi u konfrontua me terroristët. Në Irak dhe Afganistan, al-Kaida dhe grupe tjera militante, u kundërpërgjigjën me sulme të ndryshme.

Sipas Washington Post, në ditët e sotme është ndryshe.

"Sot shohim luftëtarë islamistë duke u shndërruar në ushtarë të aftë. Stili i luftimit të Shtetit Islamik poshtë lumit Eufrat tregon për një shkrirje të metodës së vjetër dhe të re të luftimit", shkruan gazeta.

Sipas saj, ushtarët amerikanë në Irak më parë kanë thënë "Falë zotit nuk munden shtiejnë me armë". Por, tani munden.

Ata po manovrojnë me formacione të disiplinuara, shpesh në bordin e kamionëve dhe makinave të blinduara të marra nga Iraku. Ata kanë raketa dhe i përdorin në prita vdekjeprurëse.

Washington Post shkruan se tash po shihen disa pseudo-ushtri të sapoformuara edhe në Levant. Procesi i luftës i ka shtyrë ata që të luftojnë më mirë ose të vdesin.

Disa vëzhgues të këtij transformimi luftarak, pranojnë se Hezbollah tani hyn në pjesën më të aftë të këmbësorisë luftarake në planet. Tash është edhe Hamasi.

Në Gazë, shkruan Washington Post, ata po luftojnë të organizuar, në ekipe, të drejtuar nga komandantë që janë të mirë-informuar.

Këta luftëtarë tash janë të armatosur mirë, të drejtuar mirë dhe shpesh kanë të holla për të paguar kur gjenden para vështirësive të ndryshme.

Kjo epokë e re e frikshme po shfaqet për shkak të disa faktorëve, që as Shtetet e Bashkuara, e as forcat izraelite nuk e kanë pritur.

Washington Post shkruan për katër nga këta faktorë.

I pari, sipas saj, është ndikimi i luftëtarëve të huaj. Këshilltarët iranianë nëpër Lindje të Mesme, po bëhen më të fuqishëm në fushën e tyre. Luftëtarët e radikalizuar nga Çeçenia dhe Bosnja, shërbejnë si mentorë të forcave të Shtetit Islamik. Terroristët e dekadës së kaluar, gjeneronin kamikazë në rëndësi të vogël strategjike. Tash kanë taktika, armë dhe grupe luftarake të përgatitura shumë mirë.

Faktori i dytë, sipas Washington Post, është lufta e përgjakshme në Siri, që shërbeu si bazë për trajnim fillestar për Shtetin Islamik dhe Hezbollahun. Kjo luftë e tmerrshme u lejoi atyre t'i shkathtësojnë liderët, të ushtrojnë taktikat dhe të trajnojnë manovrat nëpër vendluftime urbane. Mbi të gjitha, duke i pasur këto dy organizata islamiste në konflikt me njëra tjetrën, vetëm sa i bëri ato më të fuqishme, jo më të dobëta.

E treta, shkruan gazeta, këto ushtri të reja flasin mes vete. Rrjetet sociale dhe ndërhyrjet strategjike në Siri, Liban, Gazë dhe Irak, kanë formuar një trup të informuar dhe të aftë për luftë, që i forcoi liderët dhe ushtarët, të cilët ndajnë mësimet që i mësuan.

Katër, derisa këto ushtri po bëhen më profesionale, ata mbajnë specialitetin e terroristit për vrasje të disiplinuar. Vrasjet terroriste kanë qenë më të zakonshme, thotë Washington Post. Por tani, vrasjet janë të orkestruara. Vrasjet e tilla strategjike, mund t'i japin ushtrive një avantazh psikologjik para se të fillojnë luftimet.

"Ajo çfarë shohim në Gazë, Siri e Irak, duhet të shërbejë si tregim paralajmërues për ata që thërrasin për kthimin e forcave amerikane në Irak. Ushtarët e dhe marinsat e SHBA-ve mbajnë ende standard global, por avantazhin e tyre është zvogëluar", përfundon shkrimin Washington Post.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG