Ndërlidhjet

Shteti Islamik pretendon se ka vrarë gazetarin amerikan


Pamje e shkëputur nga videoja e transmetuar më 19 gusht
Pamje e shkëputur nga videoja e transmetuar më 19 gusht

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut e kanë publikuar një video, në të cilën pretendohet se gazetarit amerikan, James Foley, i është prerë koka.

Foley ishte rrëmbyer në muajin nëntor të vitit 2012 në Siri, nga persona të paidentifikuar dhe të armatosur.

Videoja e titulluar, “Mesazh për Amerikën”, është postuar në rrjete sociale më 19 gusht.

"Sot, forcat tuaja ajrore ushtarake po na sulmojnë ne çdo ditë në Irak, sulmet tuaja kanë shkaktuar viktima në mesin e msylimanëve. Ju nuk jeni duke e luftuar me një kryengritje, ne jemi ushtri dhe Shtet Islamik që është pranuar nga një numër i madh i myslimanëve në tërë botën. Pra, çfarëdo agresioni kundër Shtetit Islamik është agresion kundër myslimanëve nga të gjitha sferat e jetës, të cilët e kanë pranuar Kalifatin Islamik si lidershipin e tyre”, thotë pjesëtari i maskuar i Shtetit Islamik në videon e publikuar.

James Foley ka punuar si gazetar i lirë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP dhe kompaninë mediale amerikane, “GlobalPost”.

Gazetari ka mbuluar disa zona të luftës deri më tash. Para tre vjetësh, duke folur për televizionin britanik, Sky News, Foley tregonte për peripecitë në Libi, ku gjithashtu ishte rrëmbyer nga forcat e ish dikatorit të Libisë, Muamer Gadafi, për gjashtë javë.

“Ne u nisem drejt linjës së frontit ndërsa morëm vesh që forcat e Gadafit janë afër. Ne vendosëm që të largohemi nga rruga, sepse menduam që është më e sigurtë për shkak të granatimit të rrugës. Fatkeqësisht forcat e Gadafit erdhën direkt nga mali, dhe brenda pak sekondash ne u sulmuam me armë zjarri”, ka përshkruar njërën nga situatat e rrezikshme me të cilat është përballur Foley në karrierë.

James Foley në Siri
James Foley në Siri

​Në pamje filmike të publikuara në internet shihet edhe një person i dytë i gjallë, i identifikuar nga militantët si reporteri amerikan, Steven Sotloff, i cili është zhdukur në Siri në verën e vitit 2013.

Verifikimi i menjëhershëm i autenticitetit të videos nuk ishte i mundur. Mirëpo, familja e gazetarit Foley ka shprehur krenarinë me të birin e tyre.

"Ai e dha jetën e tij duke bërë përpjekje që të shpërfaqë para botës vuajtjet e popullit sirian. U lutemi rrëmbyesve që të kursejnë jetët e pengjeve të tjera”, thuhet në postimin e familjes Foley në rrjetet sociale.

Gjatë luftës disa vjeçare në Siri, ky vend është bërë më i rrezikshmi për gazetarët dhe fotoreporterët. Këtë e konfirmon edhe një nga miqtë e Foleyt, Mathew Vandyke.

"Është vendi më i rrezikshëm në botë. Kam qenë në Irak, Afganistan dhe Libi, bile edhe kam marrë pjesë në luftë, ndërsa vendi më i rrezikshëm në botë është Siria. Thjesht nuk e di se kujt duhet t'i besosh, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Është çmenduri. Dhe ky vend, po kthehet në një vrimë të zezë ku gazetarët dhe punonjësit humanitarë që shkojnë atje, zhduken”, i ka thënë Vandyke televizionit Sky News.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se inteligjenca amerikane është duke i studiuar pamjet e publikuara.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Caitlin Hayden, tha se "në qoftë se është e vërtetë, ne jemi të tmerruar nga vrasja brutale e një gazetari të pafajshëm amerikan dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe shokët e tij".

Sekretari britanik për punë të jashtme, Philip Hammond, ka thënë se reagimi i tij është “horror absolut” për atë që “duket të jetë ekzekutim brutal”, ndërsa ka shtuar se “ky është një shembull më shumë për brutalitetin e Shtetit Islamik”.

"Autoritetet amerikane janë absolutisht të vetëdijshme se për këto organizata ekstremiste luftojnë një numër i madh i luftetarëve britanikë, ashtu siç ka edhe luftetarë amerikanë. Pra, nuk mendoj se fjala është për të drejtuar gishtin ndaj njëri-tjetrit. Ne punojmë së bashku, shërbimet tona të inteligjencës do ta kontrollojnë me kujdes videon në të dyja anët e Atlantikut për të verifikuar autenticitetin e saj, në përpjekje për të identifikuar personin, i cili shihet në video dhe më pas së bashku do të punojmë që ta lokalizojmë atë”, ka thënë Hammond për Sky News.

Kryeministri britanik, David Cameron, raportohet se e ka ndërprerë pushimin e tij për t'u kthyer në Londër që ta shohë videon.

Presidenti francez, Francoise Hollande, ka thënë se do të propozojë mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Irakun, për atë se si të trajtohet kryengritja e Shtetit Islamik.

Hollande i ka thënë gazetaës franceze, “Le Monde” se “duhet të krijojmë një strategji globale për ta luftuar këtë grup”.

Shteti Islamik, një grup militant që synon sundim të linjës ekstreme sipas një Kalifati Islamik, ka okupuar territore të gjëra në Irak dhe Siri.

Ky grup është akuzuar se ka masakruar qindra njerëz në rajonet të cilat i ka nën kontroll.

Ata kanë persekutuar edhe pjesëtarë të komuniteteve jo myslimane, siç janë jeziditë dhe të krishterët, por edhe myslimanët shiitë.

Avancimi aktual i këtij grupi në pjesën veriore të Irakut, i ka nxitur Shtetet e Bashkuara të lansojnë sulme ajrore në këtë vend, për të parën herë, prej se është tërhequr nga Iraku, në vitin 2011. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG