Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita me institucione paralele


Opozita maqedonase do të vazhdojë bojkotin e institucioneve ndërsa do të formojë edhe institucione paralele të cilat do të ndjekin punën e pushtetit ekzetutiv.

Vendimet janë miratuar në mbledhjen e mbrëmshme të këshillit qendror të Lidhjes social-demokrate dhe sipas kryetarit të saj, Zoran Zaev, ato janë të arsyeshme dhe ofrojnë alternativë politike për qytetarët e Maqedonisë.

Sipas tij, strategjia duhet të ekzistojë dhe ka për detyrë që të mobilizojë anëtarësinë dhe strukturat partiake në krijimin e politikave në të gjitha nivelet për të ndërtuar qëndrim të qartë për të gjitha çështjet me të cilat përballet vendi.

Kërkesa kryesore e opozitës është formimi i qeverisë teknike, e cila do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi ato të mbajtur në prill të këtij viti, nuk njihen prej saj me pretendimin se kanë qenë të manipuluara nga pushteti.

Njohësit e çështjeve politike thonë se opozita ka të drejtë të hartojë politika për t'iu kundërvënë pushtetit, por Sasho Dujoski, profesor në Universitetin e Shkupit, nuk beson se ajo do të arrijë synimin e saj përfundimtar.

Sipas tij, marrëveshje mund të ketë, por jo edhe për qeveri teknike.

“Kuptohet se është e mundur që të ketë marrëveshje, për atë edhe ekzistojnë partitë politike. Ato duhet të ulen dhe të merren vesh, kjo është e dobishme për të gjithë ne, është mirë për shtetin. Nuk e di se a do të ndodhë së shpejti, por vlerësoj se është mirë të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur".

"Por, marrëveshje për qeveri teknike besoj se nuk do të ndodhë pasi LSDM-ja nuk ka kapacitet e as legjitimitet që të kërkoj diçka të tillë. Vetëm nëse LSDM-ja heq dorë nga kërksat e saja maksimaliste ndoshta mund të arrihet marrëveshje politike, ndryshe marrëveshje nuk do të ketë“, thotë Nikolla Dujoski duke përjashtuar mundësinë që në një situatë të tillë të ketë tensione të reja në vjeshtë.

Ai thotë se kjo më shumë mund të ketë pasoja apo të dëmtoj opozitën se sa të shkaktoj tensione politike në shtet.

“Në periudhën e ardhshme nuk besoj se do të ketë ndryshime serioze apo tensione. Maqedonia vlerësoj se po lundron në ujëra të qeta. Kriza e tanishme nuk është e mirë për shtetin, por ajo më shumë dëmton partitë politike, në radhë të parë ato të opozitës se sa partitë në pushtet sepse ato hartojnë dhe realizojnë politikat shtetërore, pra, janë një hap para partive opozitare“, thotë Dujoski.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

Ai thotë se kriza në vend do të thellohet si pasojë e bojkotit të institucioneve nga ana e opozitës dhe kjo sipas tij do të detyrojë VMRO-në e kryeministrit Nikolla Gruevskit të pranojë kërkesat e LSDM-së.

“Në këtë veprim ka shumë alternativa, siç janë protestat apo veprimer tjera, por ajo ka zgjedhur krijimin e një pushteti paralel, apo ajo që quhet pushtet në hije që paraqet substancë për mirëmbajtjen e politikës së LSDM-së dhe ushqimin e veprimit politikë për arsyje se tash kur nuk kanë tre tjetër politikë e kanë atë të vetin".

"Unë mendoj se ata do të qëndrojnë pas kësaj pasi kriza do të thellohet edhe më tepër duke pasur parasysh se Kuvendi është në krizë, është i cunguar dhe kjo do të prodhoj edhe kriza në sfera tjera të jetës politike, ekonomike, apo edhe diplomatike dhe kjo në fund do të detyroj VMRO-në që të pranoj kushtet e LSDM-së“, thotë Demiri.

Nga partia e Gruevskit kanë thënë se deputetët e opozitës kanë afat deri në shtator për të kthyer në Kuvend dhe në rast se këtë nuk e bëjnë atëherë do të nisin procedurat për zëvendësimin e tyre me deputetë tjerë apo organizimin e zgjedhjeve të pjesshme parlamentare.

Ndryshe, në Kuvendin e Maqedonisë si parti opozitare vepron vetëm Partia Demokratike Shqiptare e cila në fillim kishte mbështetur shumicën parlamentare në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit si dhe në disa zgjidhje tjera ligjore.

XS
SM
MD
LG