Ndërlidhjet

Triumfi i diplomacisë dhe kompromisit në Afganistan


Afganistan...
Afganistan...

Të hënën në Kabul është inaguruar presidenti i ri i Afganistanit, i cili do të punojë së bashku me shefin ekzekutiv. Është kjo e hera e parë e transferimit demokratik të pushtetit në historinë e Afganistanit.

Në një artikull për gazetën Washington Post, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, thotë se ky moment nuk është arritur lehtë dhe se kryesisht u takon miliona afganëve që kanë pasur guximin të votojnë në prill dhe në qershor, përkundër kërcënimit të talibanëve.

Mesazhi i votuesve ka qenë i qartë: asnjë pajisje e improvizuar shpërthyese dhe asnjë sulmues vetëvrasës nuk do të qëndrojë në rrugën drejt së ardhmes demokratike, shkruan Kerry.

Sipas tij, ky moment i përket edhe Ashraf Ghanit dhe Abdullah Abdullahut, dy burrështetasve që kanë vënë në vend të parë interesat e vendit të tyre dhe kanë formuar qeverinë e unitetit kombëtar.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur një proces të besueshëm zgjedhor, transparent dhe gjithëpërfshirës, pa pavorizuar asnjë kandidat të veçantë. Kjo, pikërisht për shkak të neutralitetit të SHBA-së, thotë Kerry.

“Natyrisht se kemi ndihmuar të dy kandidatët të adresojnë mashtrimet me vota, por vetë afganët i kanë marrë vendimet e vështira”, thotë sekretari amerikan i shtetit.

Por, çfarë do të pasojë tutje, pyetet ai. Qeveria e re e Afganistanit është ndërtuar mbi një vizion të përbashkët për reformë ekonomike, qeveri të ndershme, siguri dhe paqe. Edhe Ghani, edhe Abdullah kanë bërë fushatë për platforma gjithëpërfshirëse. Qeveria e unitetit kombëtar është mundësia e tyre për t’i respektuar këto premtime.

Kerry thotë se këto premtime tani duhet të plotësohen me veprime dhe jo fjalë. Vendimet e vështira për afganët nuk kanë përfunduar me qeverinë e unitetit apo me inaugurimin e presidentit – në fakt, këto janë vetëm fillimi.

Populli afgan dhe qeveria e tyre e re përballen me sfida serioze ekonomike dhe të sigurisë. Ndihma e vazhdueshme ndërkombëtare, së bashku me reformat ekonomike që kanë premtuar liderët e rinj afganë, do t’i ndihmojnë vendit që të tejkalojë mungesën e buxhetit.

Kerry kujton se presidenti Ghani dhe shefi ekzekutiv, Abdullah, u kanë premtuar votuesve të tyre se do të nënshkruajnë Marrëveshjen Dypalëshe për Siguri me Shtetet e Bashkuara. Kjo marrëveshje do të sigurojë bazën ligjore për SHBA-në që të vazhdojë të trajnojë, këshillojë dhe ndihmojë forcat afgane të sigurisë. Andaj, Afganistani nuk do të jetë kurrë më strehë për terroristët.

Por, edhe pse rruga përpara është sfiduese, ka dëshmi se Afganistani mund t’ia dalë. Afganët tani jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, vajzat shkollohen dhe mediat e lira mbajnë të informuar qytetarët. Trupat afgane po ashtu luftojnë dhe vdesin për vendin e tyre.

Fitoret e dekadës së kaluar janë arritur me gjak dhe ato nuk duhen humbur, thotë Kerry.

Detyra jonë tani është të mbështesim Afganistanin për afganët dhe të mbesim të përkushtuar për një vend, ku njerëzit besojnë në një të ardhme më të mirë, me një qeveri gjithëpërfshirëse që u shërben të gjithve, shkruan sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, në gazetën Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG