Shefi i Qendrës për krime në Internet i Europolit, Troels Oerting, thotë se ekzistojnë “afro 100” kriminelë kryesorë kibernetikë në përmasa globale, shumica prej të cilëve janë të vendosur në botën rusishtfolëse.
Zoti Oerting, mëtutje, i tha BBC-së, se kriminelët janë të “udhëhequr nga lakmia dhe profiti dhe ata prodhojnë softuere të këqia me një shpejtësi, që për ne paraqet problem për t’i zënë”.
Ai e ka përshkruar se si bandat kriminale rusishtfolëse i krijojnë këta softuerë helmues dhe i shesin online.
Raportet e Europolit me agjencitë e zbatimit të ligjit në Rusi janë “përmirësuar”, tha Oerting, dhe ka shtuar se aktualisht ishte për vizitë në Rusi, për të diskutuar për rastet e krimeve kibernetike, duke shfaqur shpresën se do të ketë arrestime dhe dënime me burg.