Ndërlidhjet

Takimi i përbashkët, rast për t'i shmangur zgjedhjet


Nisma e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për realizimin e takimeve të përbashkëta të liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend, nga analistët politik po shihet si një nga tentativat e fundit për tejkalimin e krizës institucionale.

Dështimi eventual i këtyre përpjekjeve, konsiderohet se do të shtynte vendin drejt zgjidhjes më së paku të dëshirueshme, përkatësisht zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, vlerëson se takimi apo takimet e përbashkët do të ishin përpjekjet e fundit për gjetjen e zgjidhjes.

Sipas tij, liderët dhe partitë politike, për pesë muaj nuk kanë arritur të ofrojnë ndonjë zgjidhje që do të zbatohej, kështu që e sheh si të pashmangshme nevojën e organizimit të një tryeze të përbashkët politike.

"Liderët nuk e kanë luksin që të veprojnë edhe më tutje në këtë mënyrë, duke mos komunikuar madje me njëri tjetrin, por ata duhet të mblidhen te presidentja dhe pajtimin eventual të arritur ta bartin në Kuvend në mënyrë që të votohet dhe shkohet tutje drejt formimit të institucioneve. nëse nuk bëhet kjo, atëherë natyrisht që zgjidhja tjetër është zgjedhjet e reja, për të cilat askush nuk është i interesuar", ka thënë Mushkolaj.

Ndërkohë, analisti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Dren Doli mendon se ka edhe një opsion tjetër për tejkalimin e krizës.

Sipas tij, partitë politike mund t'i drejtohen edhe Komisionit të Venedikut (Organ këshillimor i Këshillit të Evropës për shumë çështje veçmas kushtetuese dhe zgjedhore) për të parë se cilat janë zgjidhjet që do të aplikoheshin në vende të ndryshme evropiane duke krahasuar krizën dhe rrethanat e Kosovës.

"Presidentja do të mund t'u propozonte partive politike dhe liderëve të tyre që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët qoftë edhe nëpërmjet referencës në Komisionin e Venecias me disa pyetje se si vende të ndryshme evropiane e kanë të rregulluar çështjen e cila po vihet në diskutim e që ka të bëj me themelimin e institucioneve të Kosovës, gjegjësisht me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit", ka theksuar Doli.

Sa u përket zgjedhjeve, në rrethanat aktuale kur Kuvendi nuk po mund të zgjedh kryetarin e ri, Dren Doli mendon se presidentja e Kosovës nuk ka bazë kushtetuese që t'i shpallë zgjedhjet.

Por, siç vlerëson ai, presidentja mund të shfrytëzojë një autorizim të fuqishëm ligjor që ka në dorën e saj, e që ka të bëjë me nisjen e proceduarave për shpalljen e mandatarit të qeverisë.

"Presidentja e Kosovës nëse nuk sheh që partitë politike nuk janë të gatshme të gjejnë konsensus për përfundimin sa më të shpejt të kësaj krize politike, do të mund t'i njoftonte se ajo do t'i nis procedurat për caktimin e mandatarit për themelimin e qeverisë dhe në këtë kohë do të fillonte rrjedhja e afatit kushtetues. Nëse Kuvendi brenda këtij afati nuk është në gjendje të zgjedh qeverinë, atëherë vendi shkon në zgjedhje", ka thënë Doli.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj konsideron se zgjidhja është e mundshme, por sipas tij, ajo po mbahet peng nga interesat personale të liderëve politik.

Mushkolaj, nuk e sheh problem shpalljen e zgjedhjeve nga presidentja, por më shumë e sheh si problem organizimin e tyre në klimën e krijuar politike dhe kushtet atmosferike që mund të mbretërojnë gjatë stinës së dimrit.

"Pasojat që mund t'i ketë shpallja e zgjedhjeve, si nga asketi i shpenzimeve të mëdha, në aspektet organizative dhe aspektin e kohës kur do të mbaheshin, pra në dimër, janë probleme të cilat unë dyshoj se do të garantonin proces të rregullt zgjedhor", është shprehur Mushkolaj.

Pas dështimit në dy seanca konstituive që Kuvendi të zgjedh kryetarin e ri, që vjen edhe si pasojë e barrikadimit të partive politike në dy blloqe, presidentja Jahjaga kishte iniciuar edhe takime të ndara me liderët politik, por ato nuk sollën si rezultat zgjidhjen e krizës.

Në deklaratat e bëra nga Zyra e Presidentes është tërhequr vërejtja se kriza po e lëkund qëndrueshmërinë e shtetit.

Kështu që në fund u është bërë me dije partive politike se nëse nuk arrijnë që me marrëveshje politike të tejkalojnë krizën, do të pason edhe vendimi për shpalljen e zgjedhjeve si opsioni i fundit.

XS
SM
MD
LG