Ndërlidhjet

Jeta me 60 euro në muaj


Jeta me 60 euro
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Jeta me 60 euro

Numri i nënave që rrisin të vetme fëmijët e tyre ka shënuar rritje viteve të fundit në Kosovë. Ndryshe nga vendet evropiane ku këto nëna kanë përkujdesje të duhur shtetërore, në Kosovë shumë prej tyre përballen më kushte të vështira sociale.

Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:07 0:00
Shkarko

Radio Evropa e Lirë sjell rrëfimin e një nëne, e cila e vetme dhe me një shumë mjaft të ulët të mjeteve financiare arrin ta rrisë vajzën e saj.

Hazbije Brahimi është 33 vjeç nga komuna e Obiliqit. Të ardhurat mujore për zonjën Brahimi, janë vetëm 60 euro në muaj, të cilat i merr si ndihmë sociale nga buxheti i Kosovës.

Me profesion është kontabiliste, por e pa punë. Gati çdo ditë është në kërkim të një vendi pune, që do t’i sillte më shumë të ardhura dhe do t’i mundësonte të bënte një jetë më të mirë për vete dhe vajzën e saj.

“Unë po e kërkoj një punë, pa marrë parasysh çka do që të jetë, edhe pastruese nuk do të ishte problem, është punë hallall, është me djersë. Sikur ta kisha një vend pune unë e mbaj veten time dhe vajzën vet, t’i kem të ardhurat e mia, nuk do t’i trokas askujt në derë për ndihmë”, tregon ajo.

Në banesën njëdhomëshe të cilën e ka në shfrytëzim të përkohshëm nga komuna e Obiliqit, mund të qëndrojë vetëm edhe disa muaj. Pas muajit korrik të vitit të ardhshëm, ajo thotë se nuk do të ketë as strehim.

“Vështirë është të jetosh kështu. Më ndihmojnë të afërmit, një motër e imja e cila ka punuar deri më tani më ka ndihmuar, edhe disa shoqe më ndihmojnë me ushqim e veshmbathje, por çështja kryesore është banimi, ku do të mbes pasi të më skadon kontrata e qirasë”, shton ajo.

Në pamundësi për ta paguar faturën, tani e një muaj Hazbija dhe vajza e saj jetojnë pa energji elektrike.

Tensioni psikologjik është i madh, thotë ajo, kur shtohet pesha e përgjegjësisë të cilën një nënë duhet ta përballojë e vetme.

Gjashtëdhjetë euro në muaj për Hazbijen dhe vajzën e saj janë të pamjaftueshme. Ajo tregon se kërkesat e vajzës janë të shumta dhe se nuk arrin çdo herë t’i plotësojë të gjitha dëshirat e saj.

“Vështirë është ta rritësh e vetme një fëmijë, por kur e sheh që po rritet tejkalohen të gjitha. Vajza është vet drita e syve të mi. Kërkesat janë të shumta për të, tani edhe pak fillon shkollimi i saj, e di ndoshta nuk do të mund të ja dal, por shpresoj se do ta gjej një punë dhe do të ja dal ta rris si është më së miri”, shprehet ajo, derisa sytë ju mbushen me lot derisa fliste për vajzën.

Papunësia në Kosovë

Shkalla e papunësisë në Kosovë është mjaft e lartë në veçanti për nënat e vetme, ku edhe ato vazhdojnë të bien në kategorinë e grupeve pa përkujdesje të duhur shtetërore.

Në raporte të shumta si vendore edhe ashtu ndërkombëtare janë dhënë rekomandime se duhet të sigurohet punësim për nënat e vetme, por që deri më tani nuk është bërë asgjë për këtë kategori të shoqërisë.

Papunësia në Kosovë, vlerësohet të jetë problemi thelbësor i qytetarëve të Kosovës. Bazuar në shkallën e papunësisë, Kosova ka mbi 30 për qind të qytetarëve të papunë.

Autoritetet e Kosovës, për të ulur shkallën e papunësisë, vazhdimisht kanë proklamuar projekte të ndryshme ekonomike, me anë të së cilave premtonin hapje të vendeve të reja të punës.

Zhvillimi i ngadalshëm ekonomik është thënë nga ekspertë të çështjeve ekonomike se është elementi kyç që po pamundëson punësim.

Varfëria dhe standardi jetësor i qytetarëve

Varfëria, ndërkohë ka prekur shumë familje në Kosovë Sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria ekstreme e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

Kosova po ashtu llogaritet të këtë edhe standardin më të ulët jetësor krahasuar me vendet e rajonit. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore të cilat janë përditësuara në shtator të këtij viti, Bruto produkti vendor për kokë banori në Kosovë është 3,815 dollarë amerikanë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nëse shikohen si të tilla këto të ardhura kombëtare për kokë banori nuk janë të ulëta, mirëpo duke pasur parasysh se koncentrimi i kapitalit është vetëm në duar e disa pronarëve, atëherë kjo vlerë e BPV-së mbetet e ulët.

“Këtu eksiton një shpërputhje e madhe në mes atyre që posedojnë një shumë të madhe të kapitalit, do të thotë kapitali në Kosovë është i koncentruar në shumë pak banor dhe shumica e banorëve kanë një standard të ulët të jetesës, i cili është nën minimumin e përcaktuar nga institucionet financiare ndërkombëtare”, sqaron Gashi.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thekson se të dhënat e fundit të BPV-së për kokë banori janë të kënaqshme, por që gjithsesi se mbetet e ulët.

Sipas tij, jo secili qytetarë i Kosovës ka këtë standard apo këto të ardhura.

“Vetë fakti, kur kemi parasysh edhe shifrat e BPV-së në vendet e tjera të rajonit dhe pavarësisht rritjes që ka pasur vendi , ne ende mbesim vend i varfër krahasuar me vendet e rajonit e mos të flasim sa larg qëndrojmë nëse bëjmë një krahasim më vendet e rajonit”, thekson Rexhepi.

Sidoqoftë, rritjen ekonomike të cilën Kosova e ka shënuar gjatë viteve të fundit, e cila nuk ka qenë më shumë se 3 për qind, ka qenë e pamjaftueshme për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

XS
SM
MD
LG