Ndërlidhjet

Produktet kosovare në tregjet evropiane


Produktet “Made in Kosova”, ndonëse me mjaft vështirësi, gjatë vitit që lëmë pas, disa prej tyre arritën t’i ‘thyejnë "kufijtë", duke depërtuar kështu edhe në tregjet rajonale e evropiane.

Është kjo kompania “ASK Foods”, nga Gjilani e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve e cila me produktet e saj gjatë vitit që lëmë pas ka arritur të jetë e pranishme në tregun e evropian dhe rajonal.

Pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënëse depërtimi në këto tregje evropiane ka qenë mjaft i vështirë.

Sipas tij, ka munguar angazhimi i autoriteteve shtetërore dhe shoqatave që merren me përfaqësimin e prodhueseve vendor që të krijojnë marrëdhënie bilaterale me shtetet evropiane sa i përket fushës ekonomike.

“Jemi prezent në Suedi, në Gjermani, Belgjikë, në Zvicër shumë shpejt do të fillojmë eksportine produkteve në Slloveni,kemi eksport në Kroaci në Maqedoni dhe në Serbi”, tregon Namoni.

Produktet vendeve të rajonit tregon Namoni favorizohen nga shtetet e tyre dhe në këtë mënyrë e kanë shumë më të lehtë të depërtojnë në tregjet evropiane se sa prodhimet e Kosovës.

“Realisht, ka qenë sfidë direkte e jona, pra nuk është lehtë të arrihet deri te partneri i jashtëm. Kjo kërkon kohë, angazhim, mirëpo fatmirësisht kemi arritur në këto pika dhe qëndrojmë mirë në bashkëpunim me ta”, tregon Namoni.

Sektori i prodhimtarisë, gjatë vitit 2014 ishte vlerësuar si njëri nga sektorët më të pazhvilluar në Kosovë.

Politikat fiskale, sipas përfaqësuesve të biznesit nuk kishin qenë, aspak në favor të tyre dhe rrjedhimisht iu kanëpamundësuar atyre që të tregohen më të suksesshëm.

Po ashtu konkurrenca e padrejtë i ka dëmtuar ata dhe ka pamundësuar që të marrin tregun.

Kompania “Frutomania” që merret më prodhimin e lëngjeve nga frutat e shtrydhura, që tashmë ka mbuluar pothuajse tregun vendor, kanë arritur që të depërtojnë në tregjet rajonale.

Pronari i kësaj kompanie, Alban Ibrahimi tregon se gjatë këtij viti kanë pasur përmirësime, megjithatë sipas tij, prodhuesit kosovarë janë në pozitë më pak të favorshme sesa prodhuesit e vendeve të rajonit.

“Ne jemi në rritje. Në tregun rajonal kemi filluar të jem prezent, në Mal të Zi, në Shqipëri vetëm se kemi filluar shitjet dhe rezultatet e para dhe janë mjaft premtuese. Po ashtu jemi duke u përgatitur për fillimin e shitjes në Kroaci dhe Maqedoni”, tregon Ibrahimi.

Prodhueseve të Kosovës iu ka dalë në përkrahje Programi “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, i përkrahur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID), për rreth katër vjetëve të fundit.

Me përkrahjen që fermerët kanë marrë nga ky program është mundësuar po ashtu krijimi i lidhjeve tregtare në nivele lokale, rajonale dhe evropiane me eksporte të suksesshme të pemëve dhe perimeve të freskëta.

Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët, rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e rreth 2 miliardë eurove.

Të dhënat e fundit të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se partnerët kryesorë tregtarë, sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, janë vendet e Bashkimit Evropian.

Përfaqësues të biznesit, në anën tjetër, kanë kërkojnë nga autoritetet kompetente që gjatë vitit 2014 të jenë më të vëmendshme karshi prodhimtarisë.

Ata thonë se gjendja e vështirë që kishte përcjell bizneset kosovare në vitin 2014, duhet të jetë alarm për qeverinë që të rrisë dinamikën e krijimit të një ambienti më të favorshëm afarist në vend.

XS
SM
MD
LG