Ndërlidhjet

Pritjet e qytetarëve të Maqedonisë për vitin 2015


Shëndet të mirë, punësim, ngritje profesionale, perspektivë por edhe politikanë të përgjegjshëm, janë këto disa nga dëshirat e shprehura nga qytetarët e Maqedonisë.

Ramize Sadiku, për vitin 2015 ka vetëm një uratë, djemtë e saj të cilët tanimë kanë krijuar familje të mund të gjenë një punë me të ardhura stabile.

“Po unë pres të më punësohen djemtë, shpresoj të gjejnë një punë se të gjithë i kam pa punë. Që të tre kanë nga pesë përkatësisht gjashtë fëmijë dhe pa punë është e vështirë. Jeta ka shumë obligime, duhet t`i shkollojnë fëmijët dhe pa të ardhura s`ke shumë mundësi. Kur je kallaballëk edhe harxhimet janë të mëdha për një familje”, thotë zonja Ramize.

Ndërkaq, Ilia Tasevski profesor në pension, thotë se është lodhur që në krye të institucioneve të sheh njërëz të pa përgjegjshëm, madje dhe pa përgatitje të duhur profesionale.

“Nga 2015-ta pres një vit më të mirë sa i përket politikbërjes, dëshiroj që në krye të institucioneve të kemi udhëheqës të cilët do të dinë të ofrojnë zgjidhje për poblemet me të cilat ballafaqohet çdo qytetarë në Maqedoni, e ajo është gjendja e vështirë ekonomike dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë”, thotë Ilia Tasevski.

Gjersa, Fatbardha Doko pedagoge, ka thënë se pavarësisht vështirësive me të cilat është përcjellë ky vit, meqë siç shpehet nga natyra është optimiste, shpreson që 2015-ta të jetë një vit më i sukseshëm.

“Po gjithmonë shpresojmë pë atë më të mirën, tani të shohim si do të jetë 2015-ta. Megjithatë unë kam shpresa se do të jetë vit më i mirë. Shpresoj për të mirën e të gjithëve e njëkohësisht uroj të dëgjohet zëri i të gjithë atyre të cilët kanë ndonjë nevojë dhe t`u ndihmohet”, shprehet Fatbardha Doko.

Afrim Avdiu, i cili është student në shkencat politike, është shprehur se nga rrëfimet e prindërve kupton se e ardhmja në të kaluarën ka qënë më e qartë, ose siç shprehet ai, “nese ia jep hakun mësimit, kjo do të shperblehet me një vend të mirë pune”, por tani gjithçka duket pa perspektivë, andaj nga viti i ri dëshiron një perspektivë të qartë për të ardhmen.

“Po jam student i rregullt në Universitein Shtetëror të Tetovës, pres perspektivë më të mirë për ne të rinjtë sepse është bërë vërtet vështirë”, shprehet shkurt Afrim Avdiu.

Edhe Natasha Nikollovska, e cila këtë vit ka diplomuar në fakultetin juridik në Shkup, shpreson të gjej punë si juriste.

“Po shpresoj të kem ngritje në karrierën time, të gjej një punë si juriste sepse tashmë një vit, punoj në një dyqan si shitëse sepse nuk gjej dot punë në profesionin tim, për çka kam investuar aq shumë, kjo është dëshira ime për vitin 2015”, thotë Natasha.

Ndërkaq Sinan Elezi, i cili ka një biznes privat, shpreson që në kutinë postare mos t'i vinë fatura për gjoba të ndryshme qoftë për ndonjë shkelje në komunikacion, apo diçka tjetër.

“Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike, dënimet janë shumë të mëdha, që ka parashikuar Ministria e Punëve të Brendshme për qyetarët”, thotë Sinan Elezi.

XS
SM
MD
LG