Ndërlidhjet

Qytetarët maqedonas, s'besojnë në fuksionimin e shtetit demokratik


Hulumtimi mbi kulturën politike në Maqedoni, realizuar nga Qendra për Arsim Evropian, ka nxjerrë në pah se vetëm 46 përqind e qytetarëve kanë besim në funksionimin e shtetit demokratik.

Ndërkohë që pjesa më e madhe edhe e atyre, të cilët besojnë në demokracinë, kanë perceptim të gabuar kur bëhet fjalë për funksionimin e institucioneve mbi bazë të vlerave demokratike, ngase në të shumtën e rasteve qytetarët e Maqedonisë, demokracinë e ndërlidhin me mirëqenien ekonomike.

“Një përqindje e lartë e qytetarëve të Maqedonisë nuk kanë besim në sistemin demokratik, edhe atë rreth 30 përqind e qytetarëve janë shprehur se nuk besojnë në funksionmin e shtetit demokratik, përderisa 26 përqind është shprehur se kanë dilema kur bëhet fjalë për funsionimin e sistemit demoratik si sistem më i mirë”, thekson Bojan Mariçiq nga Qendra për Arsimim Evropian.

Ai ka bërë të ditur se megjithatë, pjesa më e madhe përkatsisht 46 përqind e qytetarëve të Maqedonisë, janë shprehur se sistemi demokratik megjithëse ka probleme gjatë funksionimit është më i mirë se çfarëdo sistemi tjetër shtetëror.

Ndërkohë, përfaqësuesit e sektorit civil duke komentuar këto të dhëna, vlerësojnë se autoritet shtetërore shumë pak investojnë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për t`u bërë pjesë e vendimmarrjes kur bëhet fjalë për realizimin e politikave të caktuara të pushtetit, të cilat në formë direkte prekin interesat e qytetarëve.

Ata njëherësh kanë fokusuar dhe rolin e mediave në procesin e ngritjes së dialogut mes politikbërësve dhe qyetarëve, si burim i lartë i ideve.

Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut, thotë se pavarësisht se qytetarët e Maqedonisë më shumë se dy dekada jetojnë në demokraci, mungon aktivizimi individual ose kolektiv si një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë.

"Qytetarët e Maqedonisë ende nuk e kanë kuptuar qartë se demokracia nuk arrihet vetëm me aktin e votimit për ndonjë opsion politik, por përmes kontrollit të përhershëm të punës përkatsisht veprimeve të atyre të cilët e kanë fituar pushtetin”, thekson Mirjana Najçevska, duke shtuar se qytetarët nuk e kanë idenë se shteti demokratik duhet të përfshijë edhe ata gjatë vendimmarrjes si në pushtetin vendor ashtu edhe atë qendrorë.

Me këtë qëndrim, nuk pajtohet Arsim Sinani profesor universitar, sipas të cilit qytetarët jo se nuk e dinë se cilat janë të drejtat e tyre, por ata kanë frikë të ngrejnë zërin kur të njëtat nuk zbatohen si pasojë e mos fuksionimit të shtetit demoratik.

“Qytetarët në Maqedoni janë të frikësuar sepse të gjitha veprimet që i ndërmarrin, përkatësisht kundërshtimet të cilat i shprehin, vërejnë se nuk sjellin kurrfarë rezultatesh si rrjedhojë e asaj se në Maqedoni, kemi një totalirizëm”, thekson Arsim Sinani, sipas të cilit totalitarizmi në vend funksionon si rrjeta e merimangës, përkatësisht pusheti si një merimangë kontrollon gjithçka përmes rrjetës së saj.

Ndryshe, të dhënat e hulumtimit të Qendrës për Arsim Evropian mbi kulturën politike në Maqedoni, flasin se 34 përqind e qytetarëve të Maqedonisë janë të mendimit se në vend funksionon shteti demokratik, 29 përqind konsiderojnë se në Maqedoni ka demokraci të pjesërishme, gjersa 39 përqind e të anketuarve janë shprehur se nuk ka demoraci në vend, me ç`rast 87 përqind e të anketuarve konsiderojnë se demokracia në Maqedoni do të ishte më shumë funksionale nëse gjatë vendimmarrjes kyçen ekspertë të lëmive përkatëse dhe jo gjithçka të lihet në duart e politikanëve.

XS
SM
MD
LG