Ndërlidhjet

Rruga drejt "azilit" në Bashkimin Evropian


Rrugëtimi i qytetarëve të Kosovës për të migruar në mënyrë jo të rregullt në vendet e Bashkimit Evropian po vazhdon.

Në Ashothalom dhe Morahalom, qytete që gjenden përreth brezit kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, janë ndaluar disa qytetarë nga Kosova që kanë kaluar paligjshëm kufirin.

Laslo Torockai, prefekt i qytetit Ashothalom, aty ku fillimisht zbarkojnë emigrantët e paligjshëm, thotë se nëse nuk ka ndonjë ndryshim në këtë trend, ekziston vetëm një mundësi.

“Mundësia e vetme është ngritja e një rrethoje përreth kufirit. Kjo nuk do të ishte një rrethojë e rëndomtë, por sikur ajo që ekziston përgjatë kufirit meksikan. Do të duhet të vendoset sërish shërbimi kufitar që do të patrullonte përgjatë kësaj rrethoje”, thotë Torockai, për Radion Evropa e Lirë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, i cili gjendet në anën hungareze të kufirit, njofton se ata që kërkojnë azil, evidentohen dhe marrin një afat prej 24 orësh që të lajmërohen në disa qendra strehimi në Hungari, ku do të duhej të qëndronin deri në marrjen e ndonjë vendimi për kërkesën e tyre për azil.

Ata gjithashtu pajisen me një dokument për transport falas hekurudhor gjatë kësaj periudhe. Por, disa prej tyre, këtë dokument një-ditësh e shfrytëzojnë që prej Hungarisë të kalojnë në vendet e destinacionit të fundit, para së gjithash në Austri dhe Gjermani.

​Ndërkaq, ata që nuk kërkojnë azil, dërgohen në qendra të një lloji më të mbyllur, që duken si qendra paraburgimi, ku presin deri në riatdhesimin e tyre.

Një qendër e tillë gjendet në Kishkunhallash, e që është e rrethuar me tela gjemborë dhe policia nuk lejon hyrjen e gazetarëve brenda.

Kjo qendër bashkëpunon me organizatën joqeveritare hungareze “Menedek”, që do të thotë “Strehim”.

Zhuzhana Perak nga kjo organizatë, merret me ndihmën për emigrantët dhe sipas saj, aktualisht në këtë qendër janë rreth 100 persona.

“Qendra e mbulon ushqimin tre herë në ditë, kurse fëmijëve pesë herë në ditë, kujdesin mjekësor dhe akomodimin. E gjitha kjo bëhet në këtë institucion të mbyllur, që do të thotë se ata nuk kanë mundësi ta braktisin objektin".

"Organizojmë edhe aktivitete të lira, për të zvogëluar traumat psikike që mund t’i përjetojnë duke qenë se janë në një institucion të mbyllur. Gjithashtu, i përgatisim për kthimin e tyre në vendin e origjinës, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare, policinë, autoritetet. Përpiqemi t’i informojmë gjithashtu se cilat janë pasojat e migrimit të paligjshëm, si dhe çka i pret në Perëndim, sepse shpesh kanë një pasqyrë të gabueshme për mundësitë që kanë”, tha zonja Perak.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë debatuar serish lidhur me migrimin e paligjshëm të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ata kanë deklaruar se kushtet e vështira ekonomike janë një nga arsyet kryesore të këtyre ikjeve nga vendi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, tha se në Kosovë duhet të krijohet një ambient i sigurtë duke zbatuar ligjet.

Ai tha se zhvillimet e fundit politike pas zgjedhjeve të fundit, kanë krijuar një ambient mosbesimi në institucionet e Kosovës nga qytetarët.

“Së bashku mund dhe duhet të punojmë shumë për të kthyer shpresën e qytetarëve të vendit tonë dhe të jemi komunikues ndaj qytetarëve tonë si pozita ashtu edhe opozita”, tha Mustafa.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, tha se qytetarët që po ikin nga Kosova nuk duhet fajësuar dhe se të drejtën për mirëqenie më të mirë nuk mund t’ua mohojë askush.

“Ata kanë humbur çdo shpresë, të cilët duke sharë e mallkuar, i bashkohen eksodit të varfërisë, për të ndërtuar larg atdheut të tyre atë që u ka mbetur nga jeta dhe t'u japin një mundësi për jetë më të mirë fëmijëve që i mbajnë në krah në këtë rrugëtim të dhimbshëm e të mundimshëm", tha Dërguti.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, duke i kërkuar qeverisë së Kosovës të parandalojë migrimin e paligjshëm.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë shans që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë, dërguar më 3 shkurt Radios Evropa e Lirë.

* Ekipi në Hungari: Ognjen Zoriq, Norbert Shinkoviq, Shërbimi për Ballkanin

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG