Ndërlidhjet

Vuçiq kërkon që rasti "Jabllanoviq" të diskutohet në Bruksel


Gjatë takimit të mbajtur në Beograd.
Gjatë takimit të mbajtur në Beograd.

Për pjesëmarrjen e mëtutjeshme të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në institucione, do të vendoset pas takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel më 9 shkurt.

Ky ishte konkluzioni që është prezantuar pas takimit të mbajtur në Beograd, ndërmjet përfaqësuesve të Listës Serbe me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Shqyrtimi i pjesëmarrjes në institucione, pasoi vendimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të largojë nga qeveria ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë pas takimit të zhvilluar me Listën Serbe në Beograd se shkarkimi i Jabllanoviqit, e ka përkeqësuar situatën para bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

"Kemi marrë vendim që hapat e ardhshëm t'i ndërmarrim në interesin e komunitetit serb në Kosovë dhe në interesin e gjithë Serbisë", ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, javën e ardhshme, kryeministri dhe Qeveria e Serbisë do t'i ftojnë në një takim të përbashkët në Beograd të gjithë përfaqësuesit serbë nga Kosova, përfshirë këtu ministrat, deputetët dhe kryetarët e komunave.

Ky takim, pritet të mbahet pas raundit të ri të bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 9 shkurt.

Ndërkohë, Aleksandar Jabllanoviq, i shkarkuar nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, sërish ka deklaruar se nuk ndihet i fajshëm për deklaratën e tij.

Ai më 6 janar i kishte quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë të cilët po përpiqeshin t'i pengonin pelegrinët serb të vizitojnë Gjakovën për Krishtlindjen Ortodokse.

Edhe pse Jabllanoviq kishte kërkuar falje për deklaratën e bërë, kjo situatë kishte nxitur më pas protesta të fuqishme si nga shoqatat e familjarëve të personave të pagjetur të luftës dhe sidomos nga opozita, pas të cilave, kryeministri Isa Mustafa vendosi që të largojë atë nga posti.

Por, Jabllanoviq, vazhdon ta konsiderojë largimin e tij si veprim jo adekuat nga kryeministri i Kosovës.

"Ndihem mirë. E di që nuk kam bërë asgjë të keqe. E di po ashtu që detyra jonë në Kosovë është që të mbrojmë interesat e serbëve dhe të ndihmojmë që të gjithë të dëbuarit të kthehen sërish në Kosovë", ka deklaruar Jabllanoviq në Beograd.

Me këtë rast, ai i i është referuar Aleksandar Vuçiqit si kryeministër i tij.

Në takimin e ditës së enjte në Beograd, kanë marrë pjesë Aleksandar Jabllanoviq, Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës dhe Bratisllav Nikolliq, kryetar i zgjedhur i komunës së Shtërpcës dhe kryetar i paligjshëm i emëruar nga Beogradi, i po të njejtës komunë.

Vendimi i kryeministrit Isa Mustafa për largimin e Jabllanoviqit, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi nuk pritet që të ketë ndikim në përfaqësimin e serbëve dhe këtij subjekti politik në institucionet e Kosovës.

"Ne besojmë në konstruktivitetin dhe partneritetin me Listën Serbe dhe jemi të hapur për bashkëpunim. Është një vendim që është marrë nga kryeministri dhe besoj që ka hapësirë të punojmë me Listën Serbe në realizimin e objektivave të qeverisë, integrimin e veriut, e gjithashtu edhe integrimin e komunitetit serb brenda Republikës së Kosovës", ka deklaruar Abrashi.

Ministri tashmë i shkarkuar, Aleksandar Jabllanoviq, i takon subjektit politik me emrin Lista Serbe, që është krijuar nga Beogradi me qëllim që të përfaqësojë komunitetin serb në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Me këtë mbështetje që mori nga Beogradi, ky subjekt politik arriti që t'i dominojë të gjitha partitë tjera serbe dhe tani përfaqësohet me një zëvendëskryeministër, dy ministra, nëntë deputet si dhe ka nën udhëheqje nëntë komuna të Kosovës.

XS
SM
MD
LG